Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, sot gjatë një konference për media ka adresuar shqetësimin e qytetarëve për krizën dhe pasigurinë e madhe që po përballen ata në rrafshin social dhe ekonomik, transmeton Fol Drejt.
“Sot në konferencë për media adresuam shqetësimin e qytetarëve për krizën dhe pasigurinë e madhe që po përballen ata në rrafshin social dhe ekonomik, duke harruar interesin qytetar dhe interesin publik. Kjo pasiguri po manifestohet në secilin sektor dhe pore të jetës. Nuk mbahet mend të ketë pasur pasiguri më të madhe se sa kjo që po e përjetojmë në vitin 2023, në mandatin e dytë qeverisës të Kurtit. Në qoftë së bëjmë një vlerësim të mirëqenies së qytetareve, shohim se sot të punësuarit janë kthyer në raste sociale. Të punësuarit në sektorin publik sot punojnë të demotivuar për shkak që ndihen të mashtruar nga kjo qeveri.”, shkroi Tahiri në Facebook.
Tahiri tha se rritja prej 20 apo 30 euro në pagë, në fakt është zvogëlim i pagës. Nisur nga këto fakte, shohim se Ligji i Pagave i sjellur nga kjo qeveri, e ka emrin Ligji i Mashtrimit. Absurditeti më i madh qëndron tek thirrja e Kurtit për rikthim të mërgatës në vend, thirrja për investime. Kjo qasje e tij ka qëllimin e vetëm me i qitë hi në sy popullit. Para se t’ia bëjë këtë thirrje mërgatës, Kurti do duhej të tregojë se çfarë stimulimi ka sjellur përmes politikave qeverisëse për rikthimin e mërgatës në vend, kur vendi po përballet me eksod të ikjeve, pikërisht për shkak të zhgënjimit dhe mashtrimit nga ana e kësaj qeverie.
“Shohim se investimet kapitale janë bllokuar totalisht, ndërkohë që kryeministri mburret me rritje ekonomike duke iu referuar raportit të Bankës Botërore, i cili raport në fakt i referohet periudhës 10 vjeçare. Ne si subjekt kemi kërkuar një interpelancë për ministrin e Financave që përmes rishikimit buxhetor të bëhen dy veprime të mëdha, e para për sektorin publik, të rritet koeficienti në vlerë 129 euro dhe që investimet kapitale të marrin hovin e vet pasi që tani jemi në fund të muajit maj, kemi vetëm 4 muaj që ta shfrytëzojmë buxhetin për implementim te projekteve kapitale.”, u shpreh tutje Tahiri. /FolDrejt/