Deputeti dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka paralajmëruar se do të bëjë inicimin e një seance të jashtëzakonshme për Ligjin për pagat.
Përkatësisht seanca ka të bëjë me koeficioentin e pagave, shkruan Ekonomia Online.
Ai ka kërkuar që koeficienti i pagës të jetë 129 euro e jo 105 sa ka vendosur Qeveria. Për këtë ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve, në mënyrë që të votohet një rezolutë që e obligon Qeverinë që ta fusë këtë ndryshim në Ligjin për Buxhetin.
Kur foli për takimin e 14 shtatorit në Bruksel, ai tha se kreu i Qeverisë, Albin Kurti e ka degraduar tërësisht këtë proces dhe se po pranon që të diskutohet për çështje të brendshme.
“Kemi neglizhim total të kësaj qeveri ndaj administratës shtetërore, për Ligjin e pagave po kërkojmë seancë të jashtëzakonshme. Koeficienti duhet të ngritet nga 105 në 129 së paku dhe për këtë presim që të kemi mbështetjen e deputetëve. Kjo duhet të ndodh tani që të bëjmë një rezolutë që Qeveria në buxhet ta fusë vlerën në 129 euro, nëse kjo nuk ndodh ne do të iniciojmë një nismë ligjore për ndryshimin e Ligjit për buxhet”.
“Në Bruksel dialogu ka degraduar totalisht, në një situatë kur do të duhet të ketë qartësi, ajo që ka bërë Kurti është që ka pranuar të diskutohet për çështje të brendshme, në vend se të diskutohet për këto çështje në Kosovë”. /eo