Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media u shpreh se partia e tij ka si qëndrim inicimin e një mocioni mosbesimi ndaj kryeministri të vendit, Albin Kurti, pas zhvillimeve të fundit në vend.
Sipas Haradinajt, kryeministri Kurti ka rrezikuar sigurinë dhe sovranitetin në veri në radhë të parë dhe së dyti, ka prishur marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në.
“I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe sigurisë në veri, dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA-në dhe BE-në, deri te edhe sanksionet nga ShBA-ja ndaj Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
“Do të angazhohemi që ta sqarojmë para qytetareve pse Kurti është përgjegjës për rrezikimin e sigurisë së vendit dhe sovranitetin e veri. ShBA duke e paraparë rrezikun për një agjendë destabilizuese nga Serbia e nga bandat kriminale ne veri, i ka ofruar qeverisë një plan qe të mbajë përgjegjësi që nga zhvillimet e tabelave e deri në përmbyllje të dialogut. Kryeministri Kurti në vend se të bashkëpunojë me planin e tyre për integrim të veriut, e ka vazhduar një plan të vetin për të nxitur e për të krijuar një palë për konflikt, e që është interes i Rusisë dhe i Putinit, pra nuk ka bashkëpunuar me Amerikën por ka vazhduar duke e nxitur një konflikt në veri që është interes i Putinit dhe i Rusisë”.
“Ajo që e bën këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të popullit të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave sekretarit Blinken me fjalorin që i është drejtuar.”, ka shtuar më tej Haradinaj, duke thënë se beson që mocioni do të përkrahet nga të gjithë apo nga shumica.