Paralajmërimet e opozitës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj, AAK-ja i konsideron si veprime të tyre politike. Përfaqësues të këtij subjekti politik, theksojnë se koalicioni qeverisës aktualisht është stabil dhe opozita e ka të vështirë që t`i sigurojë votat e mjaftueshme për të proceduar me mocion mosbesimi në Kuvend. Në anën tjetër, analistë politikë theksojnë se qeveria mund të rrëzohet vetëm kur të dojë PDK-ja.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, nuk i sheh si serioze përpjekjet e opozitës për ta rrëzuar qeverinë aktuale. Deputetja e këtij subjekti politik, Time Kadrijaj, thekson se mocioni është e drejt politike e secilit subjekt. Por, sipas saj, koalicioni qeverisës është stabil në funksionimin e tij dhe si i tillë do të vazhdojë deri në përfundim të mandatit.
“Ajo është e drejt e tyre politike që të procedojnë me mocion. Mirëpo, ajo që mund të them është se koalicioni është stabil. Qeveria Haradinaj po punon dhe ka rezultat që po shihen dhe që e prekin qytetarin e Kosovës”
Por, ndryshe mendojnë njohës të rrethanave politike në vend. Opinionisti Blerim Burjani, thekson se opozitës i mungoj tre deputet për ta rrëzuar Qeverinë aktuale. E sipas tij, fati i qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, është i varur nga partneri kryesor i koalicionit, PDK-ja.
“Mjafton që opozita t`i gjejë edhe tre deputetë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por, gjasat janë të vogla të ndodhë kjo, pasi që PDK e mbanë “de jure” këtë qeveri, përderisa “de fakto” ka telashe të mëdha koalicioni qeverisës. Pra është përballur me mungesë kuorumi për t`i kaluar ligjet dhe rezolutat që vet i kanë sjellë në Kuvend”
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se janë mbledhë 58 nënshkrime për procedim të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Haradinaj. Ndërkohë, LDK dhe Vetëvendosje, tashmë e kanë harmonizuar edhe tekstin e mocionit, i cili do të procedohet në seancë sapo të sigurohen edhe tri vota nga opozita për kalimin e këtij mocioni.