Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet një postimi në facebook, ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e nismave, në këtë rast e takimit të thirrur nga presidentja Osmani.
Përmes këtij postimi, AAK njëkohësisht ka sjellë një propozim me përmbajtje të katër pikave, përmes të cilit synon që ta kthejë normalizimin, jo vetëm në veri, siç thuhet në postim, por në gjithë Kosovën.
“1. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.
2.Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.
3.Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.
4.Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi.”, janë katër pikat e propozimit të AAK-së.
“Për këtë qëllim e kemi thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit.
Dhe derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave, që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend”, thuhet tutje në postim./FolDrejt/