Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për të penalizuar mësimdhënësit.
Këtë vendim ai e qujti skandaloz, transmeton Fol Drejt.
Në një postim në Facebook AAK u shpreh:
“Vendimi i qeverisë për të penalizuar mësimdhënësit grevistë është të paktën skandaloz. Duke shkelur të gjitha ligjet në fuqi, qeveria e mashtrimit, gënjeshtrës, injorancës dhe arrogancës, përpos sjelljeve të panatyrshme për një qeveri gjatë grevës, ajo ka vazhduar me ndëshkimin e atyre që nuk mendojnë si ajo.
Shtypja e atyre që mendojnë ndryshe, është cilësi e regjimeve autokratike e diktatoriale. Kjo ndodh në Kosovë, pasi që i tërë pushteti ndodhet në dorën e një njeriu.
Qeveria e cila nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale, po kërkon armiq të brendshëm, te sindikata e opozita, te mësimdhënësit, personeli shëndetësor, administrata publike, Policia e zjarrfikësit.
Por populli i Kosovës nuk është i verbër. Ai e sheh dhe e vuan në kurriz degradimin ekonomik, krizën energjetike dhe ngritjen enorme të çmimeve. Ata e shohin në veprim qeverinë që punësoi familjarët, kapi bordet, e që korrupsionit i dha model e formë të re.
Mësimdhënësit grevistë, e kanë përkrahjen tonë dhe zotimin tonë që nuk do të ndalemi së kundërshtuari këtë vendim jonjerëzor, e nëse në këtë mandat nuk do të kemi mundësi e numra që të ndryshojmë diçka për të mirën e tyre, atëherë qeverisja e ardhshme e Aleancës, do të kompensojë secilin, ashtu siç kemi kompensuar gjatë mandatit tonë edhe mësuesit e viteve ’90të.”
Vlen të theksohet se edhe anëtarë të Qeverisë së Kosovës e kanë konsideruar të padrejtë vendimin e saj të fundit në lidhje me mësimdhënësit grevistë./FolDrejt/