Vijon saga e rastit Dehari. Pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, ka refuzuar të flas para gazetarëve rreth rastit, shkruan Fol Drejt.
Abazi ka thënë se tashmë kjo çështje është në duart e prokurorisë dhe hetuesisë dhe për rrjedhojë, nuk mund të jap asnjë informacion shtesë në këtë fazë.
“Por, ajo çfarë them unë si deputet edhe si qytetarë i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohet e drejta e fjalës, nuk do të ndalëm pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë, nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mia si deputet dhe si qytetarë në një shoqëri normale”, u shpreh Abazi.
Në anën tjetër Kryeministri Kurti i ka cilësuar si të pabaza pretendimet e Abazit si të pasakta:
“Ato nuk janë të vërteta dhe nuk janë të sakta, është përgjigjur për këtë ministrja e Drejtësisë. Lëvizja Vetëvendosje është subjekti jo vetëm më i madh por edhe demokratike në Republikën e Kosovës dhe të gjitha çështjet ne edhe i diskutojmë hapur në forumet tona, por në të njëjtën kohë secili deputet shpreh qëndrimet e veta. Mirëpo, unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për fjalën publike të dikujt tjetër.”
Përndryshe për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, llogari nga Qeveria Kurti, e veçanërisht nga Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Albulena Haxhiu po kërkon edhe opozita./FolDrejt/