Mali i Zi është i gatshëm të presë raundin e ardhshëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha kryeministri i cili ka mandat teknik Dritan Abazoviq, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Sapo përfundova një bisedë e rëndësishme me kryeministrin Albin Kurti në margjinat e forumit të dialogut të Prespës. Mali i Zi, si një vend mik i Serbisë dhe Kosovës, por edhe i të gjithë të tjerëve në rajon, është i gatshëm të presë raundin e ardhshëm të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë”, ka shkruar Abazovic në Twitter.
Pas takimit me Kurtin në margjinat e Forumit në Strugë, Maqedonia e Veriut, Abazovic deklaroi se “promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi”.
“Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur”, shtoi Abazovic.
Shefi i diplomacisë evropiane, Borrell, ka ftuar liderët e Serbisë dhe Kosovës në bisedime në Bruksel javën e ardhshme, duke thënë se do të jetë një takim kushtuar zgjidhjes së krizës, pasi situata në terren po përkeqësohet çdo ditë e më shumë, transmeton Fol Drejt.