Lideri i Lëvizjes Qytetare URA dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka bërë të ditur se kjo parti do të mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Jakov Milatoviq, kandidatin për president të lëvizjes “Evropa tani”, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Kryeministri malazez përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor për korrektësinë politike dhe qasjen mjaft konstruktive në ditët e fundit, “me theks të veçantë Jakov Milatoviqin, i cili ka mbështetje të sinqertë dhe të qartë për një fitore të qetë në raundin e dytë”.
E gjithë rrjedha e fushatës, dita e zgjedhjeve dhe shpallja përfundimtare e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, sipas tij, paraqet një fitore të madhe për demokracinë në Mal të Zi.
“Pa tensione, me retorikë pajtuese, në një fushatë të shkurtër dhe të relaksuar, Mali i Zi tregoi fytyrën e tij evropiane. Qytetarët votuan pa frikë për të preferuarit e tyre dhe thanë pa mëdyshje se duan një president të ri të vendit”, tha Abazoviq.
“Me Gjukanoviqin dhe DPS që po largohet dhe Mali i Zi po i kthehet vetes dhe përparimit të tij të mëtejshëm. Tani na duhet vetëm të ruajmë një atmosferë të mirë socio-politike dhe të përfundojmë një fazë tjetër të zhvillimit demokratik të vendit më 2 prill. Edhe një herë u dëshmua se Mali i Zi mund ta bëjë dhe se ne jemi të gjithë së bashku në rrugën e duhur, në mënyrë paqësore dhe dinjitoze drejt fitoreve të reja”, shtoi ai.
Ditën e djeshme u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi dhe në raundin e dytë do të shkojnë kreu i DPS-së, Milo Gjukanoviq dhe Jakov Milatoviq, kandidat i Lëvizjes “Evropa tani”.
Bazuar në mostrën 100 për qind të përpunuar, Milo Gjukanoviq fitoi 35,2 për qind të votave, njoftoi CeMI. Jakov Milatoviq mori 29.2 për qind të votave. /FolDrejt/