Qeveria e re evropiane është e gatshme të zbatojë reformat, tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në një takim me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, në Turqi.
“Bashkimi Evropian duhet t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht pas ngjarjeve në Ukrainë”, tha ai.
Politikani shqiptar e ka informuar sllovakun rreth procesit të formimit të qeverisë së re pasi ishte mandatuar nga presidenti Milo Gjukanoviq, raporton rtcg.
Lajçak vuri në dukje se Brukseli ka pritshmëri të mëdha nga qeveria e re dhe se Mali i Zi mund të llogarisë në mbështetjen e tij.
Duke folur për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, Abazoviq theksoi se kishte një shkelje brutale të ligjit ndërkombëtar dhe një shkelje e integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit ukrainas.
“Mali i Zi, si një anëtar i ardhshëm, ndjek politikën e jashtme të BE-së dhe i bashkohet masave kufizuese të miratuara nga BE kundër Federatës Ruse. Synimi ynë është, si anëtare e NATO-s, të jemi shembull i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Abazoviq.
Abazoviq ndodhet në Republikën e Turqisë, ku do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalias, i cili mbahet nga 11 deri më 13 mars.