Në një intervistë të dhënë për emisionin Rubikon, Kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi Dritan Abazoviq, e ka bërë të ditur se është PRO idesë për “Ballkanin e Hapur”.
Iniciativa e nisur dhe e përkrahur nga Beogradi, Tirana e Shkupi, është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare, meqë kjo e fundit nuk është trajtuar si një subjekt i barabartë.
Megjithatë Abazoviq ka thënë se edhe Kosova do të përfitonte nga kjo iniciativë meqë është e krijuar që brenda vetes t’i ketë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani i Hapur” është i bërë për gjashtë shtete, nuk është i bërë për pesë shtete e gjysmë ose tre shtete e gjysmë, ose për 4.7 shtete, por për gjashtë shtete. Gjithkush që participon reprezanton vetveten dhe shtetin e vet. Mendimi im, ndoshta jam gabim, është se interesi më i madh në rajon është i Kosovës që të jetë në çdo iniciativë rajonale”.
Abazoviq ka paralajmëruar mundësinë e ndryshimit të qëndrimit nga ana e Kosovës, në momentin kur statusi i saj do të njihet edhe nga vendet e tjera pjesëmarrëse./FolDrejt/