Zëvendëskryeministri dhe lideri i URA-s, Dr. Dritan Abazoviq është takuar me kryetarin e DEMOS-it dhe deputetin e Kuvendit të Malit të Zi, Miodrag Lekiq.
Abazoviq dhe Lekiq diskutuan situatën aktuale politike dhe modalitetet e tejkalimit të krizës ekzistuese politike në vend, njoftoi GP URA.
“Ata ranë dakord se qeveria aktuale, e 42-të me radhë, ka përfunduar mandatin e saj dhe se fillimisht duhet të tentohet të gjendet një zgjidhje brenda shumicës ekzistuese parlamentare”, thuhet në deklaratë.
Siç kanë thënë nga URA, Abazoviq e ka njoftuar Lekiqin për modalitetet e mundshme të daljes nga situata aktuale dhe mbi të gjitha për konceptin e Qeverisë së ardhshme evropiane, raporton rtcg.
Ata thanë se zgjidhja duhet kërkuar brenda institucioneve të sistemit dhe se e ardhmja e vendit tonë do të vendoset në Mal të Zi.
“Lideri i DEMOS-it, Miodrag Lekiq, shprehu gatishmërinë e tij që partia e tij të jetë pjesë e zgjidhjes për tejkalimin e krizës ekzistuese politike dhe partner konstruktiv në atë proces, duke marrë parasysh në radhë të parë interesat e vendit dhe vullnetin e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Milo Gjukanoviq ka deklaruar sot se do të votojë shkarkimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe do të mbështes një qeveri të pakicës.