Kryeministri i Malit të Zi në mandat teknik, Dritan Abazoviq, deklaroi se vendi i tij është nën ndikime të ndryshme dhe se synimi i tij kryesor është anëtarësimi në BE.
“Ne kemi ndikime të ndryshme, politike, ekonomike, jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Kina. Synimi ynë kryesor është anëtarësimi në BE, ashtu siç jemi anëtarë të NATO-s”, tha Abazoviq, i cili po viziton SHBA-në.
Abazoviq, siç njoftoi qeveria malazeze, ishte i ftuar në FOX News në një nga emisionet më të ndjekura të lajmeve në SHBA “Raport special me Bret Bayer” dhe pati një intervistë të shkurtër në të cilën foli për perspektivën evropiane të Malit të Zi dhe ndikimet e huaja negative.
Temë ishin edhe sulmet kibernetike në rrjetin informativ të Qeverisë së Malit të Zi që kanë nisur më 22 gusht.
“Në vendin tonë kanë mbërritur ekspertë të FBI-së, Francës, Britanisë së Madhe, të cilët do të hetojnë se çfarë ka ndodhur me sistemin tonë. Për momentin nuk mund të them nëse është bërë nga rusët, iranianët apo dikush tjetër”, u shpreh Abazoviq.