Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ka thënë se vendi që ai përfaqëson mirëpret përkushtimin e kryeministrit Kurti për propozimin e dialogut që do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të hënën më 27 shkurt, raporton Fol Drejt.
“Britania e Madhe mirëpret përkushtimin e kryeministrit Kurti për propozimin e dialogut që do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të hënën më 27 shkurt. Në përvjetorin e parë të pushtimit ilegal të Ukrainës nga Rusia është e rëndësishme që të bëhen të gjitha përpjekjet për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Evropë.” ka shkruar Abbott në Twitter.
Ai shtoi se është po aq e rëndësishme të sigurohet një mjedis i sigurt dhe që krijon hapësirë për një marrëveshje të qëndrueshme dhe normalizimin e marrëdhënieve. Më 17 shkurt, si aleat i palëkundur, iu bashkuam Kosovës në festimin e 15 vjetorit të pavarësisë.
“15 vjet pas pavarësisë, Kosova ka mundësinë të bëjë progres në integrimin ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e një shteti të begatë. Negociatat e suksesshme do ta krijojnë atë të ardhme.”, tha tutje Abbott. /FolDrejt/