Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në facebook, ka kritikuar kryeministrin Kurti se ka rënë në kurthin e Serbisë dhe sipas tij as s’mund të krijojë stabilitet e as të ushtrojë sovranitet në veri.
Madje, sipas Abdixhikut, Kurti nuk ka as edhe një plan shtetëror për ta ballafaquar gjendjen në veri.
“Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim. Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani.”, është shprehur Abdixhiku.
Ai i ka konsideruar si të kota dhe populiste fjalimet nga foltoret në Prishtinë, duke thënë se humbasin përbrenda thatësisë.
“Sot humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’i shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim.”, ka thënë Abdixhiku.
“Prandaj koordinimi është mençuri e maturi. Ecja me aleatë ka qenë gjithnjë interes kombëtar i Kosovës. Ai shpërfaqet si servilitet vetëm përpara politikanëve të turmave e ideologëve anti-perëndim që për qëllim të hapur mbajnë rrënimin zhbërjen e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë.”, ka shtuar tutje ai./FolDrejt/