Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka nisur fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit duke thënë se po e nisin sesionin me më shumë skandale e paqartësi se ato që i lanë vitin që shkoi, duke u fokusuar sidomos në zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës.
“Po e nisim sesionin e ri parlamentar me më shumë paqartësi dhe fatkeqësisht me më shumë skandale se sa që e mbyllëm atë paraprak.”, ka thënë Abdixhiku që në hyrje.
“Dy muaj tensione, politika të pakoordinuara me aleatë, sulme të pareshtura ndaj policisë”, ka përmendur Abdixhiku, duke vlerësuar se gjendja në veri nuk është normale.
Tutje, Abdixhiku në fjalimin e tij ka vlerësuar se Kosova nuk ka pasur kurrë më pak sovranitet se sa sot.
“Në emër të sovranitetit, Kosova nuk ka patur kurrë më pak sovranitet, në emër të ligjshmërisë, Kosova nuk ka patur kurrë më pak ligjshmëri se sa që ka sot. Ka tre muaj që në veri nuk kemi polici të rregullt, ka tre muaj që në veri nuk kemi prokurorë, gjyqtarë e s’kemi as pushtet komunash e për më tepër s’kemi as zgjedhje të lira e demokratike për të zgjedhur këtë pushtet lokal. A është ky sovraniteti i një shteti brenda territorit të vet?”, ka thënë Abdixhiku./FolDrejt/