Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij ka ngritur shqetësimin për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, raporton Fol Drejt.
“Më lejoni që të ndaj shqetësimin e LDK-së për ngjarjet në veri të vendit dhe të jap mbështetjen e Lidhjes Demokratike për djemtë e vajzat tona në Policinë e Kosovës që duhet ta ruajnë rendin, ligjshmërinë, sovranitetin në gjithë territorin e Kosovës. Njëkohësisht u bëj thirrje institucioneve të vendit, përkatësisht Qeverisë së Kosovës, të shfrytëzoj gjithë potencialin e vet diplomatik e shtetar e të koordinoj çdo përpjekje me aleatët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që të sigurojë funksionimin e rregullt të institucioneve tona në veri të Kosovës.”, ka thënë Abdixhiku gjatë mbledhjes.
Abdixhiku ka theksuar se qeveria e Kosovës duhet të shmanget nga çfarëdo gracke potenciale destabilizuese që vjen nga Serbia e më pas përkthehet në koncesione tjera dialoguese për Republikën e Kosovës.
“Përgjegjësia dhe sjellja e matur në këto momente është jetike për funksionimin e Republikës së Kosovës.”, ka shtuar ai. /FolDrejt/