Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për udhërrëfyesin për energjinë elektrike mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, asokohe dy marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015 i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
Abdixhiku theksoi se qytetarët duhet ta dëgjojnë nga Kurti nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë.
“Qeveria e Kryeministrit Kurti sot nënshkroi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike për veriun e vendit. Ky udhërrëfyes përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 – të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e vet”.
“Por, Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”.
“LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”.