Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit rreth Kosovës dhe marrëdhënieve të saj me SHBA-të.
Sipas tij, pikërisht krijimi i bindjes së Kosova duhet të ecë pa aleatë ka qenë investimi më i madh i Serbisë në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
“Investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me ShBA-të. Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje.”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në profilin zyrtar në facebook.
“Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë.”, ka shtuar tutje ai.
Abdixhiku ka vlerësuar se lënia e Kosovës pa aleatë është tradhti, ndërkohë që kërkesa për ecje me SHBA-në është akt patriotik.
“Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë.
Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhti.
Kërkesa për ecje me ShBA është akt patriotik.”, ka përfunduar Abdixhiku./FolDrejt/