Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, shkruan Fol Drejt.
“Kënaqësi e veçantë që me bashkëpunëtorët e mi, të pres në zyrat e LDK-së ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Themelet e bashkëpunimit tonë janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku theksoi se kanë biseduar për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut dhe shtoi se ka njoftuar ambasadorin mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut.
“LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces. LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes.”, tha në fund Abdixhiku. /FolDrejt/