Abelard Tahiri i kërkoi Albin Kurtit që ta shkarkojë borin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Tahiri, gjithashtu shtoi se kryeministri Albin Kurti po e trajton në mënyrë të veçantë pjesën veriore të vendit, duke iu drejtuar se shefi i ekzekutivit në fakt e ka një agjendë.
Ai kritikoi Qeverinë për mospërfshirjen e veriut në shtrenjtimin e rrymës në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohen tarifat e reja.
Deputeti i PDK-së theksoi se e sheh këtë si zgjerim të një autonomie për veriun, transmeton Fol Drejt.
“Fatkeqësisht Qeveria dhe Albin Kurti është duke e trajtuar në mënyrë të veçantë veriun. Dhe unë mendoj që tash po shihet që Albin Kurti e ka një agjendë për veriun. Pra këtu kemi të bëjmë pikërisht me zgjerimin e një autonomie me angazhimin e kësaj qeverie që këta njerëz ta kenë një autonomi pikërisht në atë pjesë të vendit. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme dhe kjo është arsyeja pse Albin Kurti nuk guxon me marrë pjesë në seancë, sepse nuk ka arsyetim pikërisht për veriun”.
Gjithashtu Abelard Tahiri e akuzoi Zyrën e Rregullatorit për Energji se po vepron si organ politik dhe jo i pavarur.
“ZRRE-ja, si organ që duhej të ishte i pavarur dhe jo politik, jep arsyetime politike se pse veriu nuk mund të përfshihet në shtrenjtim të energjisë elektrike. Nga ai organi profesional, tash na del me arsyetime politike që aty ekziston një problem politik dhe ne nuk mundemi me vendos”./FolDrejt/