Adil Olluri, i lindur në vitin 1984 në Lipjan, është shkrimtar nga Kosova, i cili shkruan prozë artistike dhe kritikë letrare. Ai ka botuar deri më tani monografitë “Trilogjia postmoderne”, “Romani postmodern shqiptar”, “Fytyra e tiranisë”, “Shkrimtari polimorf”. Ka shkruar romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, i cili kishte një sukses të madh si në vendin tonë, ashtu edhe jashtë kufijve. Gjithashtu ka botuar edhe dy veprat me tregime “Kthimi i profetit” dhe “Shumë rrugë dhe një rënie”. Adil Olluri është fitues i shumë çmimeve letrare, ku ndër to është edhe çmimi “Premio Ostana Internazionale”. Ai aktualisht punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Intervistoi: Ardit MEHMETAJ
Ndër temat që trajtoni në krijimtarinë tuaj letrare, sidomos tek romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë” është edhe tema e luftës. A mendoni që është shkruar mjaftueshëm për luftën e fundit në Kosovë dhe a ka nevojë të shkruhet edhe më shumë pasi që letërsia ndër të tjera është edhe kujtesë?
I dashuri Ardit, nuk mendoj se ka një masë të caktuar se sa do të duhej të shkruhej për një çështje të caktuar. Asnjëherë nuk e dimë se kur është arritur apo në është arritur ndonjë pikë e matshme sasiore e të shkruarit për diçka e rreth diçkaje. Ndodh që për një temë, ta zëmë për atë të luftës, më mirë e më zëshëm mund të flasë një roman i shkruar bukur se sa njëqind të shkruar jomjeshtërisht. Gjërat e bukura e të arrira na mbesin në mendje, në kujtesë, dhe mund të shihen, lexohen e shqyrtohen edhe pas shumë kohëve. Arti i bukur i ndihmon më së shumti kujtesës, është ndihmëtari i saj më i madh. Romani im “Bartësi i shpirtrave të përzënë” rrëfen për luftën, gjegjësisht për frikën e njeriut të zakonshëm në një kohë të pazakonshme, siç ishte lufta e fundit në vendin tonë. Nuk më takon mua të flas më shumë për veprën time, sepse sa herë që shkrimtari rreket të flasë për krijimin e tij, ndërhyn dhe shkel kufirin e një territori që nuk është i tij. Ndërhyn padrejtësisht në një tokë ku është i vendosur pushteti i lexuesit, në të cilin shkrimtari më nuk mund dhe nuk duhet të jetë i autoritetshëm. Lexuesi aty është i plotfuqishëm, meqë ka të drejtë ta lexojë librin si të dojë, ta vështrojë dhe vlerësojë si të dojë, ka të drejtë ta ndërpresë leximin që në faqet e para, madje edhe të mos e lexojë fare. Gjenerata juaj, i dashuri Ardit, që jeni dhjetë vjet e më shumë më të rinj se unë, dhe ata që janë dhjetë vjet më të rinj se ju, do të jeni vlerësuesit më të mirë të letërsisë sime.
Në romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë” e realizoni rrëfimin në veten e dytë, gjë kjo e pazakontë në letërsinë shqipe. Ku ju erdhi ideja dhe a e keni ndonjë shkrimtar që ju inspiron në këtë pjesë?
Veta e dytë është një lojë e imja letrare, një çrendomtësi rrëfimtare, me të cilën kam synuar t’i shfaqem artdashësve dhe dashamirësve të prozës artistike shqipe. Doja të shkruaja diçka të ndryshme, të dallueshme prej tregimeve që i kisha shkruar dhe ishin botuar para “Bartësit…”. Mendoj se shkrimtari është e udhës të bëjë përpjekje të mos e përsërisë veten, të jetë dhe të vijë më ndryshe në krijimin e tij pasues. Natyrisht se kam pasur shkrimtarë udhëzues e motivues në këtë “betejë” timen me mundësitë e mia artistike e rrëfyese. Mendoj se shkrimtari është dhe duhet të jetë gjithnjë në “betejë të përhershme” me mundësitë e tij për ta nxjerrë dhe për ta dhënë më të mirën që mundet.
Krijimtaria juaj është përkthyer në disa gjuhë të botës dhe kjo është për t’u vlerësuar. Sa ju kanë ndihmuar këto përkthime që letërsia juaj të lexohet edhe jashtë kufijve të shoqërisë sonë shqiptare?
Përkthimi i tregimeve të mia në disa gjuhë të përbotshme ka qenë një gjë e mirë që ka ndodhur në rrugëtimin tim letrar. Përkthimi në një gjuhë tjetër krijon më shumë mundësi për leximin e veprës së një krijuesi, krijon një rast dhe një shans për t’u lexuar edhe nga një gamë më e gjerë e lexuesve. Përkthimi është një urë që na mundëson të kalojmë në anën tjetër dhe të shikojmë se si mund të na lexojnë, si na kuptojnë e si na pranojnë ata që nuk rrojnë në të njëjtën “kala” me ne. Është urë që na mundëson takimin me ata të tjerët, me ata që jetojnë në nënqiej të tjerë, të cilët përpos që nuk flasin si ne, ndoshta edhe nuk mendojnë e shijojnë si ne. Përkthimi i tregimeve të mia në gjuhë të ndryshme, por edhe pranimi i tyre, veçmas përkthimi dhe botimi në gjuhën italiane, përpos që më ka bërë të ndihem mirë, më ka obliguar të kërkoj edhe më shumë nga vetja, të jem edhe më këmbëngulës për ta gjetur formën më të mirë shprehëse. Po të mos ishin përkthimet, shkrimet vlerësuese për to në gazeta e medie tjera italiane e gjermane, ndoshta edhe nuk do ta mundoja sot veten aq shumë.
A mund të na specifikoni ndonjë vend ku vepra juaj është mirëpritur tek lexuesi i huaj?
E thashë edhe më sipër, Italia është vendi që ia ka bërë nikoqirllëkun më të mirë prozës sime artistike. Botimi dhe promovimi në Panairin e Romës, pastaj shkrimet në gazeta të mëdha, si Corriera della Sera, do ta bënin të ndihej mirë secilin shkrimtar, jo vetëm mua.
Po çmimet që fituat, si çmimi ndërkombëtar për letërsi “Premio Ostana Internazionale 2018” në Itali, si ndikuan tek ju dhe si i përjetuat në planin kulturor e individual?
“Premio Ostana Internazionale” është shpërblimi më i madh letrar që i është dhënë veprës sime artistike. Është çmim letrar italian dhe jepet nga bashkia e Ostanës, që ndodhet në pjesën veriore të Italisë. Si laureat i këtij çmimi, e kisha mundësinë ta shkruaja një ese të shkurtër për “La lettura”, shtojcën për kulturë të së përditshmes së madhe italiane “Corriera della Serra”. Laureati kishte mundësi ta zgjidhte një fjalë të veçantë në e për gjuhën e tij dhe të shkruante për të e rreth saj. Unë e zgjodha fjalën liri, si njëra nga fjalët më të veçanta për shqiptarët e Kosovës. U prit shumë mirë rrëfimi im i shkurtër për lirinë dhe kjo e bëri edhe më të veçantë për mua shpërblimin “Premio Ostana Internazionale”.
Kur flasim për ju nuk mund ta evitojmë edhe nderimin që i bëtë Ymer Shkrelit me temën tuaj të doktoratës “Krijimtaria e Ymer Shkrelit”, ku pastaj e botuat edhe librin “Shkrimtari polimorf”. Konsideroni që me këtë studim ju përveç shpalosjes dhe analizimit të veprës së Ymer Shkrelit, treguat që letërsia shqipe veçmas ajo e Kosovës ka vërtetë krijues serioz, të rëndësishëm e të mirë estetikisht që ia vlen të studiohen dhe lexohen?
Ymer Shkreli është mjeshtër i fjalës së bukur shqipe. Është njëri nga krijuesit më të vlershëm që i kemi. Studimi im monografik ka vetëm një qëllim dhe shpresoj që ta arrijë atë. Qëllimi i tij i vetëm është që ta nxisë kërshërinë e lexuesve të rinj për një shkrimtar të rëndësishëm e të vlershëm, si Ymer Shkreli. Ky krijues meriton vëmendje dhe vlerësim edhe më të madh nga ana jonë. Shpresoj që studimi ta zgjojë interesimin për të tek ata që ende nuk i kanë lexuar romanet e tij. Edhe pse Y. Shkreli ka shkruar më shumë drama, vlera e tij më e madhe qëndron te romanet e tij. “Vdekja në ajër të pastër”, “Ura e xhehenemit” dhe “Përpjekja” janë vlera të rralla që nuk shfaqen shpesh në letërsinë shqipe.
Tek lexuesi shqiptar vërejmë, ta themi kushtimisht, një ves të keq, pasi shumë më shumë lexojnë letërsi të huaj se sa letërsi shqipe, megjithëse letërsia jonë është shumë e pasur. Keni ndonjë mendim, pse ndodh kjo?
Lexuesi i sotëm shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë, më shumë në Prishtinë, është mosbesues i madh ndaj veprave letrare që krijohen sot nga shkrimtarët tanë. Shoqëritë që deri vonë kanë qenë të mbyllura ose të goditura nga krizat e mëdha kanë dëshirë që të hapen pa kushte ndaj botës dhe t’i mbyllin sy e vesh ndaj vlerave që lindin dhe rriten në vendin e tyre. Hapja ndaj botës është e domosdoshme, por hapja pa kushte është e panevojshme. Pranimi dhe leximi i secilës vepër që përkthehet dhe mohimi i tërësishëm i veprave të mirëfillta që janë krijuar dhe krijohen nga shqiptarët nuk bënë aspak më të kulturuar e më të zgjuar. Një prirje e tillë mund të na bëjë vetëm provincialë. Mendësia provinciale është e bindur se në stanin e vetë nuk krijohet gjë më vlerë. Mendësia provinciale është mendësi e paqytetëruar, sepse është e bindur se në stanin e vetë nuk këndon asnjë zë bylbyli. Mendësia provinciale është e bindur se nuk ia vlen të lexohet shkrimtari të cilin mund ta shohë duke u shëtitur rrugëve të qytetit ose duke pirë kafe në kafenenë e lagjes. Mendësia provinciale është e bindur se shkrimtari shqiptar është dhe bëhet i vlershëm vetëm pasi të vdesë. Mendësia provinciale e tejçmon dhe mbivlerëson edhe filan shkrimtarin e huaj, të panjohur e të pavlerësuar në vendin e tij, vetëm se ai nuk flet në gjuhën e njëjtë me provincialistët, nuk shëtitet rrugëve të qytetit, pra nuk jeton si ta e me ta.
Mendoni që fakti që gjuha shqipe si gjuhë e vogël i penalizon shkrimtarët në promovimin dhe zhvillimin e tyre?
Është fakt i trishtueshëm që gjuha e vogël i penalizon shkrimtarët. Megjithatë, letërsia e përbotshme njeh shumë gjuhë të vogla që kanë nxjerrë emra të mëdhenj shkrimtarësh. Për shembull, gjuha jidish nxori një Isak Bashevis Singer.
Mund të na shpalosni planet e juaja për të ardhmen, nëse jeni duke shkruar diçka?
Jam duke punuar në romanin tim të ri, të dytin më radhë, dhe shpresoj që nëse jo më shumë, së paku të mirëpritet sa “Bartësi i shpirtrave të përzënë”. Gjithsesi, nuk është autori ai që vendos për këtë. T’ia lëmë kohës, sepse ajo është gjykuesja më e mirë./FolDrejt/