Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, janë administruar provat materiale në gjykimin ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, i cili akuzohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Florim Vërtopi ka dhënë propozime për plotësim të provave, duke propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen, neuropsikiatri dr.Fahri Drevinja, si dhe Besnik Berisha, Labinot Lalinovci, Rinor Zymeri, Vahid Istrefi, Elion Jahiri, Agon Zeqiri, Agon Rexhepi, Nehat Stublla dhe Gramoz Halili.
Po ashtu, i njëjti propozoi që si provë materiale të lexohet raporti i Ordinancës Psikiatrike “Rina”, si dhe të administrohet si provë fotografia e nxjerrë nga rrjetet sociale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, avokati Vërtopi ka propozuar që të bëhet ekzaminim ndërkombëtar i telefonit dhe SIM-kartelës së të ndjerit, po ashtu të bëhet nxjerrja e video-incizimeve nga kamerat të cilat mirëmbahen nga “EveryDayGrup” në kompleksin SNA.
Avokati Vërtopi, tutje propozoi që të administrohen si prova deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në Polici dhe Prokurori. Gjithashtu, i propozoi trupit gjykues që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes.
Prokurori Ismet Rrahmani dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Bekim Sylejmani, i kanë kundërshtuar në tërësi këto propozime.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri mori aktvendim në bazë të së cilit janë aprovuar pjesërisht provat e propozuara nga avokati Vërtopi.
Sipas vendimit, është aprovuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen neuropsikiatri dr.Fahri Drevinja, Besnik Berisha, Labinot Lalinovci dhe Rinor Zymeri, poashtu është aprovuar që si provë materiale të lexohet raporti i Ordinancës Psikiatrike “Rina” i përpiluar nga dr.Fahri Drevinja
Ndërsa, u refuzua propozimi që të dëgjohen dëshmitarët Vahid Istrefi, Elion Jahiri, Ergent Jahiri, Agon Zeqiri, Agon Rexhepi, Nehat Stublla dhe Gramoz Halili.
Gjithashtu, është refuzuar propozimi që të administrohet si provë fotografia e nxjerrë nga rrjetet sociale, është refuzuar edhe propozimi për ekzaminim ndërkombëtar i telefonit dhe SIM kartelës së të ndjerit. Po ashtu, është refuzuar që të bëhet nxjerrja e video-incizimeve nga kamerat të cilat mirëmbahen nga “EveryDayGrup” në kompleksin SNA, u refuzua që të administrohen si prova deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në Polici dhe Prokurori.
Trupi gjykues sipas vendimit, ka refuzuar edhe provën e fundit të propozuar nga avokati Vërtopi, që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes.
Kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri tha se këto prova janë refuzuar pasi që nuk janë relevante dhe nuk do të ndriqonin diçka të rëndësishme për këtë çështje.
Kurse, lidhur me administrimin e provave në këtë seancë, prokurori Rrahmani dhe avokati Sylejmani nuk patën vërejtje në provat e administruara, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Vërtopi i ka kundërshtuar në kuptim të mbrojtjes, lidhur me pjesën e dispozitivit të aktakuzës.
Në këtë seancë, paraprakisht është shikuar video-incizimi i vendit të ngjarjes, me ç’rast seanca me vendim të kryetarit të trupit gjykues Habib Zeqiri, është mbyllur për publikun për këtë pjesë.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 13 tetor 2023.
Shikohet CD-ja nga vendi i ngjarjes ku u vra 30-vjeçari në Ferizaj, seanca mbyllet për publikun
Ferizaj- Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të mërkurën ka vazhduar seanca ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, i cili akuzohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022 në Ferizaj, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij.
Pas administrimit të provave, në këtë seancë është bërë shikimi i video-incizimit të vendit të ngjarjes ku u vra 30-vjeçari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Ismet Rrahmani, ka thënë se për çështje të prezencës së publikut gjatë shikimit të CD-së, të vendos trupi gjykues.
Avokati palës së dëmtuar Bekim Sylejmani ka propozuar që kjo seancë të mbyllet për publikun, për shkak të ndjeshmërisë.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Januzi, avokati Florim Vërtopi tha se kjo seancë duhet të shikohet në prezencë të publikut.
“Nuk i frikësohemi të vërtetës, ne e dimë se kjo video veçse është dal në media, duhet të shfaqet edhe sot në seancë publike”, tha avokati Vërtopi
Kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri mori vendim që seanca të mbyllet për publikun gjatë shikimit të kësaj video të vendit të ngjarjes.
Ndryshe, në seancën e djeshme për këtë rast ka dëshmuar vëllai i të akuzuarit Qëndrim Januzi, Betim Januzit i njohur me nofkën Buta, i cili tha se djegia e veturës së tij nuk ishte motivi i kësaj vrasje.
Paraprakisht në seancën e së martës është dëgjuar babai i viktimës G.H., Vehbi Hyseni, i cili tha se i akuzuari ia ka vrarë të vetmin djalë.
Sipas aktakuzës më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta tani të ndjerin G.H dhe me atë rast kishte vënë në rrezik edhe jetën e Maliq Latifit, i cili kishte qenë para hyrjes së marketit si dhe të personave tjerë brenda në market.
Në aktakuzë, thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tani të panndehurit për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me të takuar tani të ndjerin ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra, G.H ndërron jetë siç ishte konstatuar në raportin e autopsisë të datës 22 gusht 2022, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri po akuzohet se nga koha e pacaktuar e deri më 28 maj 2022, në Ferizaj, i pandehuri Januzi pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H”, me një karikator me kapacitet prej 8 fishekëve, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta është sekuestruar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.