Një politikan me emrin e Adolf Hitler ka fituar një vend në zgjedhjet në Namibi – por thotë se ai nuk ka plane për dominimin e botës.
Sipas medieve të huaja, Adolf Hitler Uunona u zgjodh me 85 për qind të votave në ish koloninë gjermane, e cila është akoma shtëpia e një komuniteti të vogël gjermanfolës dhe ku një numër rrugësh, vendesh dhe njerëzish mbajnë ende emra gjermanë.
Pasi fitoi vendin në partinë qeverisëse SWAPO – e cila ka qeverisur Namibinë që nga pavarësia nga aparteidi në Afrikën e Jugut në vitin 1990 – politikani i tha Bild se ai ‘nuk kishte asnjë lidhje me’ ideologjinë naziste.
“Babai im më vuri emrin e këtij njeriu. Ai ndoshta nuk e kuptonte atë për të cilën njihej Adolf Hitler’, ka thënë adashi i tij.
“Si fëmijë, unë e shihja atë si një emër krejtësisht normal. Vetëm kur u rrita e kuptova që ky njeri donte të pushtonte të gjithë botën”.
Politikani tha se gruaja e tij e quan atë Adolf, duke shtuar se ai zakonisht prezantohet si Adolf Uunona por se do të ishte ‘tepër vonë’ për të ndryshuar emrin e tij zyrtarisht.
“Fakti që unë kam këtë emër nuk do të thotë që unë dua të pushtoj Oshanën”, ka thënë ai, duke iu referuar rajonit ku ai fitoi zgjedhjet. “Kjo nuk do të thotë se po përpiqem për dominimin e botës”.
Emri i tij u shkurtua në ‘Adolf H’ në një listë të kandidatëve të shtypur në një gazetë qeveritare, por emri i tij u shfaq i plotë në një faqe zyrtare në internet.