Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka pritur sot në takim drejtorin menaxhues të Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, Haldun Kokturk, me të cilin ka biseduar për mbarëvajtjen e punëve të përditshme dhe progresin në zgjerimin e pistës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lekaj ka shkruar se ky aeroport është një storie suksesi e partneritetit publiko – privat.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është storie suksesi e partneritetit publiko – privat. Tashmë kur numri i udhëtarëve ka kaluar 2 milionshin dhe trendi i rritjes është në ngritje e sipër, kërkohet angazhim edhe më i madh nga stafi menaxhues me qellim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira.
Për mbarëvajtjen e punëve të përditshme, progresin në zgjerimin e pistës, planet e reja që Limak parasheh në ANP “Adem Jashari”, diskutuam me drejtorin menaxhues të këtij aeroporti, Haldun Kokturk”, ka shkruar Lekaj.