Vetëm Policia e Kosovës është duke u përkujdesur për mbarëvajtjen dhe sigurinë në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Kështu ka deklaruar para gazetarëve zyrtarja për media e aeroportit, Valentina Gara, e cila ka mohuar se aty është thirrur KFOR-i që të kujdeset për sigurinë.
“Ne kemi njoftuar policinë si përgjegjëse për sigurinë e aeroportit dhe këtu kanë qenë vetëm pjesëtarët e policisë”, ka thënë Gara.
Ajo ka mohuar se sot derisa është mbajtur greva gjashtë orëshe e punëtorëve të aeroportit ka pasur suspendime të tyre.
“Nuk janë suspenduar nga puna ata nëntë punëtorë, por vetëm iu janë suspenduar “ID” kartelat dhe qasja në zonat e sigurisë sepse në ditët paraprake kanë ndërmarrë veprime joligjore”.
“Është herët të flasim për veprimet e së ardhmes”.
Gara ka thënë se fluturimet sot ndonëse ka pasë grevë janë kryer sipas planit të paraparë.
“Anulimet e fluturimeve janë paralajmëruar nga mbrëmë nga kompanitë ajrore dhe besoj se edhe udhëtarët janë njoftuar. Ka pasë kompani ajrore që kanë vendosur mbrëmë që t’i anulojnë ato, ndërsa fluturimet tjera janë realizuar. Është vendim i kompanive ajrore. Vendimi ka qenë i tyre. Sot të gjitha fluturimet dhe udhëtarët janë procesuar”.
“Dje greva nuk ka qenë brenda kornizave ligjore sepse ka pasë pengesa në punë. Është e vërtetë sa ka pasë lëshime në ditën e djeshme për shkak të ndërhyrjeje ilegale në sistemet tona. Lëshimet janë evidentuar dhe kemi operuar sot normalisht. Sot nuk ka pasë ndonjë pengesë nga grevistët dhe fluturimet janë realizuar sipas planit”.