Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, bashkë me atë të Zagrebit, të cilët menaxhohen nga kompania TAV, janë përzgjedhur aeroportet më të mira në Evropë në kategoritë e tyre, transmeton Anadolu Agency.
TAV njofton se aeroportet e Shkupit dhe Zagrebit të drejtuar nga TAV janë renditur ndër aeroportet më të mira në Evropë për sa i përket kënaqësisë së udhëtarëve.
Ndërkohë Shkupi gjithashtu u rendit në mesin e 33 aeroportëve që kanë zbatuar më së miri higjienën, kategori që u shtua për shkak të pandemisë së koronavirusit.
TAV, një ndër menaxhuesit më të dalluar në botë, në Turqi menaxhon aeroportet Antalya, Ankara Esenboğa, İzmir Adnan Menderes, Milas Bodrum dhe Gazipaşa Alanya, ndërsa jashtë vendit në Maqedoninë e Veriut aeroportet Shkup dhe Ohër, në Kroaci aeroportin Zagreb, në Arabinë Saudite aeroportin e Medines, në Gjeorgji aeroportet Tbilisi dhe Batumi, si dhe në Tunizi Monastir dhe Enfidha-Hammamet.