Kyetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Nexhmije Gori, ka treguar për Ekonomia Online, se vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, Oda ka lëshuar 286 licenca për infermierë, certifikata që u shërbejnë atyre për punësim jashtë vendit.
Sipas Gorit, numri i infermierëve që po e lënë vendin është rritur shumë, veçanërisht në dy vitet e fundit e nëse vazhdohet me këtë trend, vendi rrezikon të mbesë pa infermierë. Madje, ajo ka thënë se shumë të rinj kalojnë posaçërisht në infermieri, nga një profesion tjetër, si rruga më e shpejtë e tyre për të ikur nga vendi.
E për ta ndalur një fenomen të tillë, Gori ka thënë se duhet të rriten pagat dhe të përmirësohen kushtet e punës së këtij profesioni, të cilin ajo e konsideron shumë të rëndësishëm sepse “janë infermierët ata që rrinë 24 orë me pacientët”.
Ajo ka pasur kritika edhe për Ligjin e ri të Pagave, ngase ka pranuar shumë ankesa nga infermierët për këtë ligj, sidomos për pagat e ulëta dhe mos pagesën e kujdestarive të natës, e cila u paguhet profesionistëve të tjerë shëndetësor.
“Emigrimi është në trend dhe infermierët çdo ditë e më shumë po kërkojnë licenca të paplasitifikuara dhe vërtetim të kodit etik për t’u punësuar në vendet tjera. Migrimi ka filluar, sipas statistikave tona, që nga viti 2019 me një fluks më të vogël. Ka pasur rritje vit pas viti, por përmasa të mëdha ka marrë në vitin 2022 dhe 2023. Këtë vit, kemi lëshuar 286 licenca për gjashtë mujorin e parë. Kjo e jep një numër të qartë për të gjithë infermierët të cilët e kanë lëshuar vendin”.
“Shumë të rinj po e ndërrojnë profesionin dhe po kalojnë në infermieri sepse e kanë gjetur këtë si rrugën më të shkurtër për të mbërri deri në vendet e rajonit apo edhe më gjerë”.
“Trendi qysh ka filluar dhe po vazhdon, në një të ardhme të afërt, vendi jonë do të ketë mungesa për kuadro të tilla. Shpresoj që të bëhet një zgjidhje”, ka thënë Gori.
Gori ka thënë se me Ligjin e Pagave kanë pritur që infermierëve t’u rriten pagat, të kategorizohen “aty ku e meritojnë” dhe t’u paguhen ndërrimet e natës.
Ajo ka thënë se po presin ndryshime në këtë ligj e se me ngritjen e çmimeve, pagat e infermierëve janë shumë të ulta.
“Sa i përket Ligjit të Pagave, pritshmëria ka qenë shumë më e madhe dhe çdo ditë e më shumë ka pasur ankesa. Jemi duke pritur ndonjë ndryshim”.
“Kemi pritur që edhe infermierët të kenë një pagë dinjitoze dhe t’u bëhet rangimi aty ku e meritojnë ata ngase profesioni i infermierit nuk është vetëm profesion por është një mision – janë ata të cilët kanë kontakte 24 orë me pacientin. Pagesat nuk janë të dinjitetshme, nuk ka fare ngritje. Kur flasim për ndërrimet e natës, ato nuk kanë lëvizur. Me ndërrimin e kontratës kolektive është larguar edhe shujta, që në fund i bie se ata paguhen njëjtë si para, si pas Ligjit të Pagave”, ka thënë ajo për EO.
“Duke pasur parasysh ngritjen e çmimeve, është e pamundur që një infermier me pagën që e merr në Kosovë ta mbajë familjen e mos të flasim për gjëra të tjera”.
Këto ankesa, kryetarja e OIK-ut ka thënë se janë drejtuar në organet kompetente, por se nuk kanë marrë ende përgjigje.
“Ne i kemi drejtuar ankesat e infermierëve në organet kompetente por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Mekanizmi kryesor për ta ulur largimin e infermierëve është hapja e vendeve të punës, përmirësimi i kushteve, përmirësimi i koeficientit për rritje të pagave”.
“Siç po shihet fluksi, rreziku është i lartë që të mbesim pa infermierë. Mos të them që do të mbesim fare pa infermierë, por do të mbesim keq”, është shprehur ajo.
Ndërsa ka folur për bashkëpunimin me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ajo ka thënë se kanë marrë premtimin se shumë shpejt zyra e infermierëve në QKUK, e cila është mbyllur.
“Sot ishim në një takim përurimi të drejtorit të ShSKUK-së dhe ia parashtruam edhe problemet e infermierisë dhe jemi mjaft mirënjohës me pritjet dhe premtimet nga drejtori i ri.Sipas bisedës që e zhvilluam, së shpejti do të kthehet një zyre e strukturës menaxheriale brenda QKUK-së. Bashkëpunimi mes Odës dhe ShSKUK-së ka qenë i mirë që prej fillimit dhe ai po vazhdon edhe më tutje”.
Për ankesat e infermierëve, ka folur për EO, edhe Leonora Bakija, nënkryetare e OIK-ut dhe kryeinfermiere e QKMF-së në Gjakovë.
Ajo ka thënë se ankesat kryesore të infermierëve janë kategorizimi jo i drejtë në Ligjin e ri të Pagave, pagesa e kujdestarive, pagesa e punës në terren dhe për punët më ndjeshmëri më të lartë.
“Po flas në cilësinë e kryeinfermieres, duke i ditur nga afër ankesat dhe problemet që i kanë infermierët. Kryesisht ajo që është brengë më e madhe për ta është kategorizimi jo i drejtë në Ligjin e ri të Pagave, e po ashtu edhe pagesa e kujdestarive”.
Ajo ka thënë se infermierët janë të diskriminuar nga pagat e kujdestarive në krahasim me profesionistët tjerë shëndetësor, të cilëve u paguhet kujdestaria.
“Infermierët janë të diskriminuar nga pagat e kujdestarive në krahasim me profesionistët tjerë shëndetësor. Si shembull, në institucione shëndetësore ata punojnë si ekip, mjeku paguhet me përqindje më të lartë ndërsa infermieri nuk paguhet. Gjithashtu, puna në terren është e rëndësishme të paguhet dhe punët më të ndjeshme, siç janë intensiva dhe rrezikshmëria në punë, as ato nuk paguhen. Kështu që Oda vazhdimisht bën ankesa dhe kërkesa për rregullimin e këtyre çështjeve”, ka thënë Bakija./EO/