Agjencia franceze e lajmeve Agence France-Presse (AFP) ka ngritur një padi kundër X të Elon Musk, duke akuzuar platformën e mediave sociale për refuzimin e përfshirjes në diskutime rreth pagesave për shpërndarjen e lajmeve, shkruan Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
AFP tha të mërkurën se kishte ngritur padi në Paris për të detyruar platformën e njohur më parë si Twitter të dorëzonte informacione që do ta lejonin atë të llogariste kompensimin e drejtë për ndarjen e përmbajtjes së saj.
Pretendimi buron nga një ligj i miratuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2019 që detyron platformat online të negociojnë shpërblimin për lajmet me botuesit.
“Si një avokat kryesor për miratimin e të drejtave fqinje për shtypin, AFP mbetet e palëkundur në angazhimin e saj ndaj kauzës”, tha AFP në një deklaratë.
Organizatat e lajmeve, të cilat po luftojnë me rënien e të ardhurave nga reklamat, kanë mbrojtur prej kohësh që platforma të tilla si X, Meta dhe Google të ndajnë fitimet e krijuara nga hostimi i përmbajtjes së tyre.
Kanadaja muajin e kaluar miratoi një ligj që kërkon që platformat e mëdha të internetit të kompensojnë botuesit e lajmeve për përmbajtjen, pas miratimit të një modeli të ngjashëm nga Australia në 2021.