Për hatërmbetjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili është zemëruar për trajtimin që i është ofruar të dielën në Paris krahasuar me atë që i është mundësuar homologut të tij kosovar, Hashim Thaçit, gjatë kremtimit të njëqindvjetori të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ka shkruar edhe agjencia franceze e lajmeve AFP.
Kjo agjenci citon mediat serbe të cilat kanë publikuar fotot ku shfaqet presidenti Thaçi pranë presidentit rus Vladimir Putin, atij amerikan Donald Trump, francezit Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, ndërsa Vuçiq ishte ulur përballë, në një tjetër tribunë.
”Ju mund të përfytyroni se si u ndjeva”, deklaroi Vuçiq, i cili shpjegoi se kishte përjetuar një ”gungë në fyt”, shkruan AFP duke ju referuar mediave në Serbi.
”Më dukej se gjatë gjithë kohës shikoja në dysheme dhe në ekran, duke mos besuar se çfarë po shihja para meje dhe duke e ditur sakrificën e paguar nga populli serb në Luftën e Parë Botërore”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Shikuar proporcionalisht, ushtria e vogël serbe pësoi humbjet më të tmerrshme gjatë Luftës së Parë Botërore: 130,000 të vdekur dhe 135,000 të plagosur, që njëherësh përbënte tre të katërtat e fuqisë punëtore të saj, shkruan AFP.
”Duhet të marrja vendimin aty për aty: të bëja diçka ose të mos bëja asgjë, të qëndroja në vendin tim, të qëndroja i mbyllur, ta shtrëngoja dorën e Trumpit, Putinit, të flisja për Serbinë”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se “mendoj se kam marrë vendimin e duhur”.
”Çfarë të bëja në lidhje me atë renditje? Vërtet nuk e di. Bërja e ndonjë skandali atje (…) nuk do të kishte shumë kuptim”, shtoi presidenti serb, raporton AFP.
Vuçiq ia ka premtuar një pritje “madhështore” presidentit Emmanuel Macron, sipas mediave lokale, në Serbi në fillim të dhjetorit.
“Do t’i fitoj mijëra qytetarë tanë për ta përshëndetur, për t’i treguar atij se çfarë është mikpritja serbe dhe se si e shohim ne miqësinë”, ka thënë Vuçiq.
Njëzet vjet pas luftës midis forcave serbe dhe rebelëve independistë shqiptarë të Kosovës (1998-99, mbi 13,000 të vdekur), dhe një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës mbeten të mjera, shkruan AFP.
Një takim javën që shkoi në Bruksel midis Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit, takim ky i pari që nga korriku, u zhvillua në një atmosferë të tensionuar. Serbia ka dënuar vendimin e fqinjës së saj për të ngritur tarifat e saj me 10% për produktet serbe dhe është zemëruar me planin e Hashim Thaçit për t’i dhënë Kosovës një ushtri.
I përkrahur nga Rusia dhe Kina, Beogradi nuk e njeh pavarësinë e ish-krahinës së tij, kryesisht të banuar nga shqiptarët dhe ku rreth 120,000 serbë ende jetojnë.
AFP shkruan se Kosova pohon se është njohur nga 115 shtete, duke përfshirë edhe fuqitë kryesore perëndimore. Por, Serbia pretendon se ka bindur një duzinë vendesh që ta rishqyrtojnë vendimin e tyre, për ta kontestuar Kosovën.