Afresket që datojnë pothuajse dymijë vjet më parë nga koha e perandorit romak Hadrian, tani do të ekspozohen për publikun, kur ata të vizitojnë banjat e lashta të Romës.
“Për herë të parë, vizitorët mund të admirojnë pjesë të afreskeve nga tavani i një dhome të dytë të shtëpisë që u shemb”, tha Luca del Fra, një zëdhënës i Mbikëqyrjes Speciale të Romës.
“Ky ishte tavani i triklinit – dhoma e ngrënies së romakëve të lashtë – dhe arkeologët kanë restauruar një pjesë që tregon Dionisin, perëndinë e verës në një sfond të kuq”, tha del Fra për CNN.
Afresket datojnë para vetë banjave dhe zbukuruan një shtëpi që ishte pjesë e një lagjeje të shkatërruar për të akomoduar banjat, të cilat u inauguruan në vitin 216 pas Krishtit dhe u emëruan sipas Marco Aurelio Antonio Bassiano, i njohur si Caracalla, djali i perandorit Septimus Severus.
Banjat ndiqnin skemën e “banjave të mëdha perandorake”, me një bllok qendror të dedikuar vetëm për banjat termale.
Dy afresket janë të periudhave të ndryshme kohore. E para, tipike e epokës së Hadrianit, riprodhon perspektiva arkitekturore të populluara nga figura njerëzore e statuja.
E dyta, e prodhuar rreth 50 vjet më vonë, përshkruan figura hyjnore nga panteonet greko-romake dhe egjiptianë së bashku dhe afresket sugjerojnë se ato ishin në pronësi të një familjeje të pasur, thuhet në një deklaratë.
“Është mahnitëse që ka dy panteone të veçanta ose grup perëndish, një nga tradita greko-romake (Jupiteri, Juno dhe Minerva) një nga tradita egjiptiane (Anubis, Isis dhe ndoshta Serapis)”, tha del Fra për CNN.
“Kjo mund të tregojë se familja që zotëronte domusin kishte një lidhje të ngushtë me Egjiptin.”
Afresk që përshkruan skenë erotike të zbuluar në rrënojat e Pompeit
Përfaqësues i traditës greko-romake janë Jupiteri, perëndia i qiellit, bashkëshortja e tij Juno, mbrojtëse dhe perëndeshë e martesës dhe Minerva, perëndeshë e mençurisë. Në anën egjiptiane janë Anubis, perëndia e vdekjes dhe e jetës së përtejme, Isis, perëndeshë e pjellorisë dhe amësisë, dhe potencialisht Serapis, një hyjni greko-egjiptiane e diellit e përdorur për të bashkuar grekët dhe egjiptianët në Egjipt.
Ndërkohë, drejtoresha e Banjave të Caracallas, Mirella Serlorenzi, tha se prania e perëndive nga dy tradita të ndryshme në të njëjtën vepër arti ishte karakteristikë e “sinkretizmit fetar tipik i Romës së lashtë që nga themelimi i saj”.