Sot kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, e takoi Zëdhënësin e Presidencës së Republikës së Turqisë, ambasadorin Ibrahim Kallën, i cili është edhe Kryekëshilltar dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë dhe Politikës së Jashtme.
Në këtë takim Gashi e falënderoi z. Kallën për mbështetjen që Turqia ia ka dhënë Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në NATO, ndërsa u bisedua edhe për mundësitë e tjera të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryetari Gashi e falënderoi z. Kallën edhe për kujdesin që ka shteti turk për gjithë shqiptarët në rajon, e veçmas për ata në Maqedoninë e Veriut.
Ibrahim Kallën, nga ana e tij, e falënderoi Gashin për vizitën duke shprehur bindjen e thellë se marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë të kultivohen, si edhe vëmendja për shqiptarët në Ballkan.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, dhe Orhan Murtezani – zëdhënës i Alternativës, njëherazi drejtor i Hekurudhave të Maqedonisë – Transport.