Kryetari i partisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, AltenAtivA-s,Afrim Gashi ka thënë se fitore nuk është kush i fiton zgjedhjet, por fitore është nëse i mbajmë të rinjtë në këtë vend.
“Nëse lejojmë të na ikin njerëzit jashtë, nuk kemi bërë asgjë. Kemi dështu totalisht të gjithë. Nuk është më rëndësi kush i fiton zgjedhjet, nëse nuk i kemi në shtëpi vëllëzërit e motrat tona. Çka na duhet ajo fitore? Hajde të mendojmë pak për konceptin e fitores. Çka është fitorja? Që tridhjetë vjet në këtë shtet, sidomos partitë politike shqiptare, e kanë vendos koncept fitoren se në ditën e zgjedhjeve kush merr ma shumë vota e kush merr më shumë deputetë”, ka thënë ndër të tjera Gashi.
Ai ka thënë se fitore është rritja e cilësisë në arsim, mbajtja e të rinjve në vend e paga më e lartë.
“Fitore është me i mbajtë të rinjtë këtu në këtë vend, fitore është me i ndërtu institucionet arsimore e me e ngritë cilësinë në arsim, fitore është kur ne do ta rrisim rrogën e ta bëjmë së paku 1000 euro”, ka deklaruar Gashi, transmeton Fol Drejt.