Asnjë studim serioz për letërsinë nuk do të ishte i plotë pa emrin e Dostojevskit. Mijëra studiues, filozofë, socilogë, psikologë, kanë gjetur shembuj për punimet e tyre përmes asaj që kritiku rus, Bakhtin, e konsideronte te Dostojevski si polifoni zërash – një polifoni e pafund personazhesh të skalitura nga imagjinata dhe vëzhgimi më i skajshëm i mendjes njerëzore.
Shkruan: Agim Baçi
Raskolnikovi i “Krim e ndëshkim”, Mishkini te “Idioti”, Stavrogini te “Djajtë”, e sidomos Aljosha e Dimitri te “Vëllezërit Karamazov” janë një oqean i pafund i vështrimeve të botës, i pyetjeve për ta kuptuar atë që është rreth nesh dhe që ka qenë gjithnjë e rëndësishme për Njeriun.
Autori nuk përpiqet të ndërtojë asnjë skemë, ku i duhet që personazhi të ketë një fund të lumtur. As nuk pretendon se do të shpëtojë njerëzimin nga e keqja me shkopin magjik. Ai këmbëngul mbi gjithçka që të njohim botën. Nuk rreket të hapë ashtu papritur dyert e pendimit as atëherë kur personazhin e tij e ka larë në lumin e keqardhjes për jetën e tij. Jo, ai është piktori e njëkohësisht telajo. Dhe, ne, spektatorë të kësaj polifonie, veçse duhet ta ndalemi për të medituar mbi atë përpjekje të tij për të dhënë gjithçka mbi aftësinë dhe paaftësinë e mendjes njerëzore.
Raskolnikovi është dilema e madhe e bashkëjetesës në binomin krim-ndëshkim. A mund të ndëshkohet gjithnjë krimi? A i zgjidh pendimi këto marrëdhënie? Mishkini vjen si një skaner i shoqërisë, një pararendës i Shvejkut, por jo me humorin e tij, por me mosvperimin e tij, më dashurinë e tij navive, duke falur të tjerë, duke e mundur të keqen me dashuri. Një dashuri që ka kuptim jo me qëndrimin e tij, por me kthimin e tij andej nga ku ishte nisur. Bota e veseve është më e ashpër në depërtim se sa ajo e virtyteve. E duket se ka më shumë rivalitet.
Ai është det i pafund pyetjesh dhe arsyetimesh, si shigjeta rrugëtimesh, për të të mësuar të ecësh vetë, pa gënjyer veten se gjithçka ndryshon, si një botë Borëbardhë. Atje tek ai, nuk ta shpëton jetën gjuetari. Atje thjesht të jepet mundësia të njohësh, të kesh përballë mashtrues, vrasës, të cilët e kanë si një jetë sportive ligësinë, e kanë kënaqësi të keqen. Dhe nuk mund të vetëmashtrohesh se bërja moral është rrugëtim me ta. Ata duhet të takohen ose me vetveten ose me ndëshkimin. Të tretët janë të tepërt.
Askush nuk mund të hyjë mes Aljoshës dhe Dimitrit. Janë ndarë si dy brigje lumi, që s’mund të bashkohen, veçse në një botë tjetër. Eshtë ligësia dhe dashuria. Dhe autori nuk përpiqet aspak të na sjellë ndonjë skenë, si në ato letërsitë skematike, ku një i mirë duhet të jetë nga një fis e një i keq nga fisi tjetër. Jo! Ata të dy janë një gjak, janë Karamazovë. Veçse, në mrekullinë e besueshmërisë së autorit, njëri fle nga Dashuria e tjetri nga Urrejtja e Smira. Janë dy “shtrate” që sjellin “ujë” krejt të ndryshëm. Ashtu i pikturon Dostojevski dy Karamazovët. Dhe gjithnjë dikush përmes Dashurisë kërkon të falë, ndërsa tjetri që nuk “dëgjon nga ai vesh” kërkon gjithnjë të rrëmbejë, e të fusë gjithçka në Mbretërinë e Vesit, aty ku ndihet gati për çdo betejë. Sepse, siç thotë diku autori, përmes Aljoshës së tij: “Nëse nuk beson në Zot, bëj ç’të duash”. Pra, gjak i njëjtë, mbiemër i njëjtë, por qëllime të ndryshme. Pikërisht qëllimi është ai që i jep emër vetes sonë, asaj që do të shijomë më pas në përditshmërinë tonë, ajo që do të shohim në thesin e madh nga koha jonë e shkurtër në këtë “dynja pa fund”.
Te Dostojevski ka parashikim, tronditje, emocion, filozofi, këshillim dhe paralajmërim. Eshtë një hartë e pafund shigjetash, deri në tronditje. Eshtë nga ata shkrimtarë që vjen e bëhet gjithnjë e më i pranishëm pas leximit, duke u vërtetuar me parashikimet e tij, në mënyrë të pashmangshme, në përditshmërinë tonë. “Ishte një ditë me fat kur dora më kapi librin e Dostojevskit”, thoshte Niçja menjëherë pas leximit të romanit “Shënime nga nëntoka”. Një fjali që duket se e thonë shumica e atyre që ngjyjnë imagjinatën me gërmat e mbledhura dhe formatuara nga Dostojevki.
I ardhur në shqip thuajse i plotë në shqip, Dostojevski është sot një shans i madh për këdo që kërkon të shëtisë mbi sugjerimin e jashtëzakonshëm të botës që na vjen nga letërsia. E gjithë bota e sugjeruar prej tij është një polifoni e pafund e shpirtit njerëzor, i dilemave dhe zgjidhjeve. Duket sikur e ka patur të tërën në dorë “Njeriun në Kohë”. E ne, lexuesit e tij, mbetet veçse ta quajmë veten me fat që jemi ndeshur me një letërsi të tillë./FolDrejt/