Çfarë duhet të bëjmë kur jemi nën peshën e dyshimeve tona për vetveten dhe dashurinë? Rrëfimtari spanjoll Javier Marias duket sikur na vendos përballë pikëpyetjeve që janë nën lëkurën e njeriut, që jetojnë me ne, dhe që zgjidhja e vetme mbetet përgjigja e domosdoshme ndaj tyre. Është një rrëfim që na fton të ndërmarrim një udhëtim brenda vetes, duke përfshirë dashurinë, të tashmen, të shkuarën dhe atë që kemi ëndërruar.
Shkruan: Agim Baçi
Rrëfimi nis me një krismë, në gjoksin e Teresës, të sapokthyerës nga muaji i mjaltit bashkë me Ransin. Një krismë që të lë në mendje gjithë frikën dhe pikëpyetjet, të cilët jetojnë me ne. Bashkë me zhurmën e krismës në sfond qëndron gjithnjë hija e Makbethit. Jo akti i vrasjes, por pagjumësia. Jo humbja e tjetrit, por humbja e vetes. Apo “vjedhja e gjumit” siç ndodh tek Makbethi, me njollën e gjakut në mendje, që nuk mund të ikë nga lëkura. Kështu edhe krisma kërkon shpjegim, për të mos mbetur ashtu, në ajër. Nuk ka rëndësi koha. Ka rëndësi vetëm udhëtimi që duhet të bëjmë brenda gjithë pikëpyetjeve tona, Brenda asaj që humbëm në moment papërmbajtjeje e që s’arrijmë dot ta përmbledhim me asnjë mal qetësie.
Joshja, përgjegjësia, dyshimi vallëzojnë me ritmin e së domosdoshmes për të kapërcyer rehatinë e rreme dhe për t’u hedhur në detin që ka nevojë për meditim. E për Javier Mariasin, duket se ka vetëm një rrugë për zgjidhje – rrugën që duhet të marrim jo për të pritur të ndryshojnë të tjerët, por të ndryshojmë vetë ne.
“…e tërë jeta duket e rreme kur je i ri. Ato që u ndodhin të tjerëve, fatkeqësitë, mynxyrat, krimet, të gjitha këto duken të huaja, si të mos ishin fare. Madje na duken të huaja edhe ato që na ndodhin vetë neve, pasi kalojnë. Ka njerëz që janë kështu tërë jetën, përjetësisht të rinj, është fatkeqësi. Njeriu rrëfen, flet, thotë, fjalët janë qesim e herë-herë vërshojnë, pa kufizime. Dalin e dalin në çdo lloj rasti, kur jemi të dehur, kur jemi të xhindosur, kur na ka ardhur në majë të hundës, kur jemi të ngazëllyer, kur ndjejmë se kemi rënë në dashuri, kur është e papërshtatshme që t’i themi apo kur nuk i matim dot. Kur lëndojmë. Është e pamundur të mos gabosh. E , kur ndjejmë se kemi rënë në dashuri, kur është e papërshtatshme që t’i themi apo kur nuk i matim dot. Kur lëndojmë. Është e pamundur të mos gabosh. E çuditshme është që fjalët të mos kenë pasoja të kobshme, nga ato që normalisht kanë. Ose ndoshta nuk e dimë aq sa duhet, pandehim se s’kanë shumë pasoja dhe kësisoj gjithçka është një mynxyrë e përhershme për shkak të asaj që themi. Të gjithë flasim pa pushim, në çdo rast kemi miliona biseda, rrëfime, deklarata, komente, thashetheme, hapje zemre, thuhen dhe dëgjohen dhe askush nuk mund t’i ketë nën zap. Askush nuk i parashikon dot pasojat shkatërrimtare që sjellin, madje askush nuk i ndjek dot. Sepse ndonëse fjalët janë aq të shumta dhe krejt banale, krejt pa peshë, të paktë janë ata që nuk ua vënë veshin. U japin rëndësi. Ose mbase jo, ama i kanë dëgjuar. Ti nuk e di sa herë në gjithë këto vite kam menduar për ata fjalë që i thashë Terezës në një shpërthim të papërmbajtur dashurie, besoj, ishim në udhëtimin e muajit të mjaltit, thuajse në të mbaruar. Mund të kisha heshtur përgjithmonë, por njeriu pandeh se ka më shumë dashuri kur ka sekrete.” (Javier Marias, “Një zemër kaq e bardhë”, përkthim nga Bashkim Shehu, f.240-241).
Në rrëfimin e Marias e folura dhe heshtja qëndrojnë përballë, jo për betejë, por për t’i dhënë kuptim asaj që duhet të mbajmë brenda nesh dhe asaj që duhet të ndajmë me të tjerët, duke besuar se asnjë rrëfim nuk është i plotë as me fjalën e as me heshtjen. Se njeriu duhet të shohë të pamundshmen dhe të çuditshmen si pjesë që jo rrallë bashkudhëtojnë me të mundshmen dhe më të lehtën.
Zbardhja e së shkuarës vjen si nevojë për t’u rrëfyer “në enën që ka vend për enigmën”. Dhe askush më shumë se sa Luisa, nusja e të birit të Ransit, nuk mund të mbajë atë që duhet ditur. Dhe ashtu, ngadalë, kthehet në një “letër kujtimesh” për Ransin e vjetër, që të rrëfejë se si ka qenë i fejuar me tezen e të birit, që mund të kish qenë mamaja e tij. Por, që duke guxuar se sa larg mund të shkonte për dashurinë e saj, bëri të pabërën, duke rrëmbyer një jetë për të patur të sajën, Teresës. Por kjo e fundit nuk mundi ta mbante atë peshë “të vjedhjes së gjumit”, ndaj dhe në vend të një të dashuri që kish kapërcyer gjithë kufijtë për të, vendos t’i bashkohet dashurisë së pare duke ndalur zemrën e saj me një plumb të pistoletës së babait…
Po përse atë që kish fshehur për vite me radhë Ransi duhet t’ia tregojë të shoqes së të birit dhe jo vetë të birit, Huanit?
Padyshim që kësaj përgjigjeje autori “nuk ka kohë” t’i përgjigjet. Fundja, ai ia arrin të lërë mjaft pyetje mbi ne, për të vijuar më pas përmes meditimit tonë. Kjo është magjia e rrëfimit, të Javier Marias, duke na ftuar në vallen e nevojës sonë për të udhëtuar me pyetjet tona. Zbardhja e ngjarjeve shkallëshkallshëm nga Huani, bashkë me gjithë frikërat dhe dilemat e veta plotëson njgyrat e një proze plot befasi, të një stili që mundet të na takojë me gjithë ngjyrat në zemër tonë./FolDrejt/