Shënime për romanin “Portret grupi me një zonjë” i Heinrich Boll
Nga Agim Baçi
Ajo mund të mos kish ardhur kurrë para syve tanë, sepse nuk ishte askushi. Të paktën shumë nga ata që kërkojnë ta kujtojnë, besojnë se ajo nuk kishte asgjë prej heroine. Ishte e kundërta e asaj që këshillojnë prindërit për një vajzë. Ishte e kundërta e asaj që i kërkojnë drejtuesit e shkollës apo ata tek të cilët ajo kërkon mbështetje. Por, po ata që gjykojnë – domethënë ne që gjykojmë- cilët jemi në të vërtetë?
Me këtë lojë, të rindërtimit të figurës së Leni Pfajfer nga ata që e kishin njohur që në vogëli, Heinrich Boll arrin të ndërtojë protestën e tij për mungesën e guximit, për abuzimin me pushtetin, për konformizmin që i shkatërron përditë pjestarët e shoqërisë.
Leni nuk ka asgjë për t’u veçuar në atë çfarë i ka rënë për fat të jetojë. Por, pikërisht ajo vajzë çapkëne, e paragjykuar, e keqkuptuar, e përfolur, arrin të jetë vetë protesta, të jetë një shpirt ndryshimi përballë një shoqërie që vjen nga ajo humnerë shpirtërore që kish krijuar nazizmi. Madje jepen notat e asaj kohe, ku jo pak nga ata që kishin ndërtuar jetën si qytetarë plot kulturë dhe dëshira, u tretën përballë furisë së nazizmit, duke kaluar zërin në fërshfërimë, që nuk e dëgjuan më as vetë ata që mbetën gjallë.
Por romani “Portret grupi me një zonjë” është një vërshim poetik, që të hyn në gjak me gjithë fuqinë përshkruese e të rrit adrenalinën e gjithë ndjesive për njohje. Aleat i shkrimarit është lexuesi, të cilit ai i drejtohet jo pak herë në mënyrë gati intime, duke treguar mosdarkotësinë e tij ndaj asaj që i sillnin shënimet dhe dëshmitë që rindërton ai përmes fjalëve të dhjetra personave që kishin njohur Lenin.
“Merret vesh që Leni nuk ka qenë gjithmonë dyzet e tetë vjeçe, ndaj na duhet, detyrimisht, të hedhim një vështrim prapa. Duke parë fotografitë e rinisë duhet pohuar katërcipërisht se Leni ka qenë vajzë e bukur dhe e freskët; madje, edhe me uniformën e organizatës së vajzave naziste si trembëdhjetë-katërmbëdhjetë – dhe pesëmbëdhjetëvjeçare Leni duket shumë e bukur. Nuk do të kishte soditës mashkull që, duke parë hiret e saj trupore, të jepte një vlerësim më të ulët se ky: ‘Jo keq, dreqi e mori’. … Kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe, ajo bëri atë hopin vendimtar të kalimit nga e hijshme në e bukur, gjë që biondinat syzeza e kanë më të lehtë se sykaltrat. Në këtë fazë, vlerësimi i asnjë burri nuk do të ishte më poshtë se: E mrekullueshme”. (“Portret grupi me një zonjë” i Heinrich Boll, f.25, shqipërim A .K)
Ky përshkrim është parathënia për një qënie që do të jetë e dëshirueshme. Një tërheqje që mund të jetë fatale, por njëkohësisht shumë e rëndësishme për të na dhënë ne shumë personazhe rreth saj. Ka një gjetje në tërheqjen e një gruaje që në rininë e saj- është Rahela-, një murgeshë plot enigma, të cilës autori i ka faturuar studimin e karakterit të të tjerëve përmes studimit të jashtëqitjeve – një metaforë që duket se ndërton metaphorën e gjykimit përmes së keqes. Autori është një denoncues i asaj që polli koha kur nazizmi pushtoi mendjet e qindra mendjeve, të cilat mund të kishin bërë një rrugëtim tjetër, duke përfshirë edhe vëllain e Lenit, Hajnrihun, i cili u nis në luftë me nazistët duke besuar se do bëjë karrierën e duhur. Për këtë qëllim ai ka braktisur edhe shkollën edhe pse ishte i shkëqlyer në rezultate.
Duke rindërtuar gjithë portretin e Lenit përmes dëshmive të gjithë atyre që e kishin njohur, përmes letrave, përmes hetimit lidhur me protestën që po bëhet për mosprishjen e shtëpisë së saj, Boll arrin në fakt të japë një tablo të jashtëzkonshme të një shoqërie, që përmes mënyrës së gjykimit që ndërton për tjetrin, nuk bën asgjë veçse jep atë çfarë është ai apo ajo vetë, çfarë ka qenë dhe ku mund të jetë burgosur mendërisht dhe shpirtërisht për shkak të mungesës së kurajës, për shkak të të rënurit dakord me të keqen.
Me një stil të veçantë përshkrimi – herë lirik e herë tragjik- me një shkrirje të gjithë arsyeve për të të tërhequr në lexim, Heinrich Boll, përmes groteskut, jep një përfytyrim të jashtëzakonshëm për ta njohur botën me gjithë fuqinë që ka, pa patur nevojë të na vijë heroi, pa pritur të kemi të veçantin. Dëshira për ta njohur veten dhe të tjerët nuk ka nevojë për asnjë pritje, për asnjë “gjë të rëndësishme”. Thjesht ne mundemi të gjejmë e të rrokim gjërat e jetës nga më të voglat gjëra, nga njerëzit më të zakonshëm rreth nesh. Ne thjesht duhet të kemi besim që të lexojmë përmes arsyeve për ta dashur jetën.