Nga: Agim Baçi
Në një nga komeditë italiane, “L’Ora Legale”, gjithçka ndodh rreth zgjedhjes së një njeriu të ndershëm në krye të bashkisë në Pietramare, një Siçili. Ajo që vjen si ndryshim i dëshiruar gjatë fushatës, duke votuar një njeri të ndershëm, nis e kthehet shpejt në problem për të gjithë ata që thjesht janë ankuar për të keqen, që janë ankuar për kryebashkiakun e korruptuar Patane, që janë ankuar për shkeljen e ligjit, por, që në të vërtetë, nuk janë gati të bëjnë asnjë hap për të jetuar në mënyrë të ndershme dhe për të respektuar ligjin dhe meritën.
Dhe këtu nis paradoski i reagimeve të banorëve, gjersa ngrihen në protestën më kontraverse, por edhe më cinike për shoqëritë e sotme, duke na sjellë te një pyetje thelbësore- a jemi ne gati të ndryshojmë edhe vetë për të qenë njerëz që zbatojmë ligjin, që denoncojmë të keqen, apo e presim ndryshimin vetëm nga të tjerët, apo thjesht nga një njeri?
Madje, mes shume momenteve fantastike të ironisë me pafuqinë shoqërore për të pranuar ndryshimin, është edhe një çast kur qytetarët debatojnë brenda në kishë, për të ndaluar kryebashkiakun e ndershëm që krejt papritur po mban premtimet që ka bërë në fushatë dhe që i konsideron qytetarët si të barabartë përpara ligjit. Dhe një i deleguar i politikës nga Roma u kërkon llogari banorëve të Pietramares: “Çfarë ndodhi me ju jugorët? Ju keni ditur të zgjidhni gjithnjë të korruptuarit. Çfarë ju shkrepi në kokë të zgjidhnit këtë herë një të ndershëm? A e kemi luksin ne sot, me këtë krizë, ta kemi të përhapur njerëzit një fenomen me njerëz të ndershëm në të gjithë Italinë?”….
Madje, edhe vetë prifti që dëgjon “protesën” e të dërguarit të politikës nga Roma për “gabimin” në zgjedhjen e një të ndershmi si kryebashkiak, e ngre shkallën e sarkazmës edhe më lart, teksa kujton zgjedhjen në Izrael mes Jezu Krishtit dhe Barabas, kur banorët të pyetur nga Ponc Pilati se kë do donin të shpëtonin ata zgjodhën të shpëtojnë Barabën, dhe prifti pyet: “Po a gabuan vërtet me atë zgjedhje?!!!”
Filmi mbyllet me kthimin si kryebashkiak të personit të korruptuar e mafioz, që u rrëzua në zgjedhje plot entuziazëm nga ata që flisnin për ndryshim.
Kjo mbyllje është domethënia e fortë për pafuqinë tonë si shoqëri për të përqafuar të ligjshmen, të ndershmen, të vërtetën. Rikthimi i kryebashkiakut mafioz Patane, që ishte i akuzuar, është domethënia për shoqëritë tona që nuk po gjejmë dot më rrugët për të mbështetur të ndershmin, se nuk jemi gati të bëhemi pjesë e një shoqërie që do zbatimin e ligjit, që do që ata që meritojnë të marrin në dorë fatet tona.
Kushdo që sheh komedinë “L’Ora Legale”, do mendojë se skenaristët e regjisorët kanë folur shumë për shoqërinë tonë shqiptare, që fatkeqësisht e duartroket të fortin, që e sheh me zili atë që shpërfill ligjin, që bërtet në rrjete sociale kundër së keqes por nuk i bashkohet denoncimit kur ajo ndodh para syve të tyre, në lagjet e tyre, në shkollat e fëmijëve, në institucionet dhe ndërmarrjet ku janë në punë.
Dhe kjo është ironia me jetën tonë, pasi të fortët, të korruptuarit, shkelësit e ligjit, vjedhësit, kanë pikërisht si garanci heshtjen tonë, mosrefuzimin e së keqes nga ne. Asnjë realitet politik, asnjë shoqëri, nuk ka ndryshuar pa kurajon qytetare për të refuzuar ata që i tallin, që i poshtërojnë e që krenohen se kanë vjedhur apo që kanë shkelur ligjin. Ky ndryshim nuk është zgjidhur as duke ndërruar disa të fortë me disa të fortë të rinj e as duke u kthyer te e vjetra nga frika se nuk di se çfarë do vijë në të ardhmen. Kjo zgjidhet vetëm nëse shoqëria vendos të mos krenohet me atë që ka vjedhur, që ka shpërfillur ligjin, që ka graduar injorantin duke e vendosur në vend të diturit. Ashtu siç thuhet edhe në librat e shenjtë se “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, për aq kohë sa ai nuk ndryshon vetveten!”/FolDrejt/