Mund ta shohësh dashurinë nga shumë “dritare” shpirtërore. Por padyshim ta ndjekësh përmes xhelozisë është ndoshta misioni më i vështirë, pasi është vështrimi ndaj gjërave që i ndjekim përmes hapave jo kur jemi duke u afruar, por duke u larguar nga dikush. Eshte ai momenti kur e dimë se nuk jemi në ëndërr, por shpresojmë ende. Këtë sjell Henjrih Bël përmes “syrit” të Klounit, duke na dhënë tingullin e fortë të një rrëzimi nga braktisja e dashurisë.
Shkruan: Agim Baçi
Hansi, personazhi me profesion kloun, por i mbetur me kokën nga Maria, e dashura e tij për pesë vite, e ka të vështirë të besojë se po e humb atë. Si për ironi, është pikërisht një mik i përbashkët, Zyphneri – një person që kurrë nuk e ka honepsur, që ai nuk e ka parë si interesant-, por që po i rrëmben pikërisht atë që ai e ka dashur a shumë.
Hansi, është një njeri që nuk i pëlqen formalitetet. Sapo ka mbaruar Lufta e Dytë botërore dhe ai është kundër hipokirizë së të afërmeve të tij me atë që ka ndodhur në çmendurinë naziste. Nuk dëshiron as të drejtohet nga ata që besojnë e që të dielave lënë takimin në Kishë. Ka braktisur njerëzit e pasur të familjes dhe është bashkuar me Marian që vjen nga një familje jo e pasur. Por protesta e tij, kundërshtimi ndaj gjithçkaje të gënjeshtërt, e ka bërë Marian që të mos ketë shumë fuqi që ta ndjekë. Këtu nis drama e cila më pas është e gjitha për vështrimin nga errësira, nga atje ku nuk kemi shumë dritë e ku pak e nga pak nis vetëm të mbetemi përballë mendimeve, përballë hijeve.
Por kur mund të dorëzohemi dhe të kuptojmë se nuk ka më asnjë shpresë ta kemi sërish dashurinë tonë? Hansi beson se do të ndjehet i tradhëtuar përfundimisht kur ajo do të bëjë të njëjtat veprime siçbënte kur ishte e dahuruar me të. Sidomos po të prekë hundën kur flet më të – një veprim që dukej si të ishte fjalëkalimi i historisë së tyre. Eshtë ndoshta një moment kur ndjehemi se e kemi humbur tërësisht tjetrin, pikërisht atëherë kur zëvendësimin e bën me gjithçka, që nga lëvizjet e qerpikëve, prekja e qafës, të shkuarit në të njëtat vende. Janë lexime për së prapthi të atyre veprimeve që janë pjesë e dashurisë, por që fatkeqësisht i lexojmë kaq qartë kur jemi duke humbur, kur ka rënë nata në pjesën tonë dhe kur takat kanë “thembrat” nga ne dhe “majat” në drejtimin tjetër.
Shumë dashuri mund të kenë kaluar prova nga një kurth i tillë me një trekëndësh marrëdhëniesh. Por Bël vjen dhe hedh në telajon e ndjesive pikërisht atë pjesë të rëndësishme që nga shumë njerëz nuk arrin do të artikulohet, edhe pse u ndodh. Nuk ka të bëjë as me gjendjen ekonomike, as me kulturën, as me gjuhën. Eshtë thjesht një gjuhë njerëzore që i përket njeriut kudoqoftë ai, pa përcaktuar as vendin, madje as moshën. Eshtë thjesht një poezi e trishtë për dashurinë, por e nga ato përshkrime kur nisin të shkëputen edhe “vidat” më të fundit, që janë gjestet që lidhnin më parë një dashuri.
I ardhur në shqip përmes një përkthimi mjeshtëror të Ardian Klosit dhe i ribotuar nga “Dudaj” me çdo pjesë të censuruar në periudhën e diktaturës, romani “Me syrin e një klouni” është një guidë e rrugës që duhet të bëjmë çmos ta shmangim, ose që më së paku, të arrijmë “ta lexojmë” përpara se të na e sjellë fati e ta shohim se si po na çmontohet nga dikush tjetër./FolDrejt/