Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzari, ka paralajmëruar se agjencia është në prag të kolapsit financiar, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Lazzarini gazetarëve në Vjenë u tha se agjencia ka provuar metoda të ndryshme gjatë tre viteve të fundit për të zgjidhur këto probleme, por akoma nuk ka marrë rezultatet e nevojshme.
Ai shpjegoi se rënia ekonomike e agjencisë do të thotë se “të drejtat e refugjatëve palestinezë gjithashtu do të bien”.
“Duhet një mobilizim politik dhe vullnet për të parandaluar që agjencia të fundoset plotësisht”, tha ai.
Duke njoftuar se agjencia ka një deficit financiar prej rreth 200 milionë dollarësh, Lazzarini theksoi rëndësinë e ndihmës ushqimore për Gazën. Ai shtoi se 75 milionë dollarë nevojiten për të vazhduar ndihmën ushqimore në rajon, veçanërisht në Rripin e Gazës ku Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka shkurtuar aktivitetet e tij.
Lazzari tha se shpreson që deri në muajin shtator të mund të sigurohet mbështetja e nevojshme financiare.
Agjencia UNRWA u themelua në vitin 1948 në vazhdën e Nakba-s (Katastrofa e Madhe), ku qindra mijëra palestinezë u dëbuan nga shtëpitë dhe tokat e tyre pas themelimit të Izraelit. Agjencia vazhdon të ndihmojë miliona palestinezë në Rripin e Gazës së bllokuar dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli me shërbime të tilla si arsimim, ushqime dhe vende të punës.