Të gjithë duhet ta marrin vaksinën antiCovid të AstraZeneca-s, pavarësisht se disa vende të BE-së e kanë ndaluar përdorimin e saj mes shqetësimeve rreth rrezikut të mpiksjes së gjakut, njoftoi sot Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore e Britanisë së Madhe (MHRA).
“Provat nuk sugjerojnë se vaksina shkakton mpiksje gjaku”, tha MHRA.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka asnjë arsye për të ndaluar përdorimin e saj.
Nga ana tjetër, prodhuesi i AstraZeneca-s ka shtuar se nuk ka prova të një lidhjeje mes vaksinës dhe trombozës.
“Njerëzit duhet të vazhdojnë të marrin vaksinën e tyre Covid-19, kur u kërkohet ta bëjnë këtë”, theksoi kreu për sigurinë e vaksinave në MHRA, Phil Bryan.
“Ne po rishikojmë nga afër raportet, por duke pasur parasysh numrin e madh të dozave të administruara dhe frekuencën në të cilën mpiksjet e gjakut mund të ndodhin natyrshëm, provat në dispozicion nuk sugjerojnë se vaksina është shkaku”, shtoi ai.