Miroslav Lajçak po qëndron për një vizitë në Kosovë, ku përveç takimeve me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ai pritet ta vizitojë edhe veriun e vendit, shkruan Fol Drejt.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evopian për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se këto takime vijnë në vazhdën e përpjekjeve për normalizim të raporteve ndërmjet dy shteteve të Ballkanit Perëndimor:
“Erdha të diskutoj me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara drejt normalizimit pas takimit të 2 majit” – ka thënë Lajçak pas takimit me kryeministrin.
Ai ka shtuar se është me rëndësi që tani janë kuptuar qartë “sekuencat e hapave”, duke shtuar se me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, ka zhvilluar një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet.
Po ashtu Lajçak ka paralajmëruar se të njëjtat tema pritet t’i shtrojë për diskutim edhe në Beograd, e më pas, të hënën e pret takimi trepalësh në Bruksel në mes tij, Bislimit dhe Petkoviqit.
“Pra, kjo është shumë e rëndësishme që ne të kemi qartësi se si të kemi një marrëveshje, ne kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit 1 hapit 2 dhe hapit 3, kështu që ky ishte qëllimi që kishim siç thashë një diskutim shumë intensiv por shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm me kryeministrin”, tha Lajçak.
Ai ka shtuar se gjatë ditës së sotme do ta vizitojë edhe veriun e vendit, me shpresë se nga këto takime do ta gjejnë solucionin i cili i çon të dyja vendet drejt normalizimit të raporteve, meqë të gjithë janë të interesuar t’i ikin konfliktit dhe përkeqësimit të situatës:
“…duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi, nuk është në interesin e askujt” – ka thënë ai përpara gazetarëve./FolDrejt/