Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj gazetarëve të Gazetës Blic.
Sipas njoftimit, të njëjtit janë sulmuar sot në veri të Mitrovicës, gjatë realizimit të një kronike për situatën e krijuar nga koronavirusi.
“Sipas raportimeve të Gazetës Blic, ekipi ishte afruar pranë një pike ku shitej miell dhe flisnin me qytetarët për të parë si po shkon furnizimi, kur ata janë sulmuar nga dy qytetarë, duke u goditur me grushte e shkelma. Gazetari Maxhuni është duke marrë tretman mjekësor në spitalin e qytetit të Mitrovicës. Policia e Kosovës është njoftuar për rastin dhe ekipi i Gazetës Blic është intervistuar. AGK kërkon nga organet e sigurisë që sa më parë ta hetojnë këtë rast”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës për media, AGK do ta përcjell me kujdes rastin në fjalë duke kërkuar hetime të shpejta dhe efikase.
“Sulmi i tillë ndaj gazetarëve është akt i shëmtuar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike. Vlerësojmë se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së medieve, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar”, thuhet në njoftim.