Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar pas lajmeve se veturat e mediave që po raportojnë nga veriu, janë vandalizuar nga protestuesit serbë, shkruan Fol Drejt.
AGK veç që i ka dënuar këto veprime, “njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale.”
Ky është reagimi i plotë:
Vandalizohen dhe dëmtohen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs në Leposaviq
Veturat e RTV Dukagjinit dhe të KALLXOs, janë vandalizuar dhe dëmtuar nga protestuesit në Leposaviq.
Në videot e publikuar në medie, shihen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs, me simbolin e motos jozyrtare të serbëve “Samo sloga Srbina spasava” (Vetëm uniteti i shpëton serbët), gomat e shpërthyera, si dhe mbulimin e “Republika e Kosovës” në targa.
AGK-ja, e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurtë dhe të papenguar të ekipeve mediale.
Njëherësh, AGK-ja, fton gazetarë për kujdes të shtuar gjatë raportimit nga komunat në të cilat janë vendosur protestuesit.