Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, ndaj mediave e gazetarëve në Shqipëri dhe Kosovë.
AGK-ja në reagimin e tyre thonë se Haradinaj i ka sulmuar sot mediat në Shqipëri dhe Kosovë duke i quajtur “mercenarë dhe “të shitur”.
Reagimi i plotë:
Kryetari i AAK-së njëherësh deputeti, Ramush Haradinaj, ka sulmuar sot mediat në Shqipëri dhe Kosovë duke i quajtur “mercenarë” dhe “të shitur”, pas pretendimeve të tij se ato kanë raportuar se mund të konsiderohet si kandidat për President të Shqipërisë. Për më tepër, Haradinaj i ka akuzuar mediat se punojnë “kundër interesave të Shqipërisë dhe Kosovës.
Një gjuhë e tillë është kërcënuese, denigruese, e papranueshme dhe që rrezikon sigurinë e gazetarëve.
AGK-ja e fton zotin Haradinaj dhe të gjithë akterët politikë që ankesat e tyre për raportimet t’i drejtojnë në organet vetërregulluese, dhe të përmbahen nga gjuha fyese dhe kërcënuese.