Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas djegies së veturës së televizionit Tëvë1 në Zubin Potok.
AGK-ja ka theksuar se kjo është sjellje e patolerueshme, teksa i ka bërë thirrje edhe NATO-s dhe EULEX-it që të reagojnë sa më pare në mënyrë që gazetarët të raportojnë pa u rrezikuar, raporton teve1.info
“Në fotografitë dërguar AGK-së, shihet se i janë thyer xhamat dhe shpërthyer gomat e veturës, e më pastaj edhe e vënë në flakë. Për AGK-në, kjo sjellje është e patolerueshme, dhe u bëjëm thirrje NATO Kosovo Force – KFOR dhe EULEX Kosovo (Official) të reagojnë sa më parë në mënyrë që kolegët të raportojnë pa u rrezikuar, penguar e dëmtuar pajisjet e tyre të punës”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, vetura e televizonit Tëvë1, fillimisht është dëmtuar e pastaj është djegur nga persona të panjohur në Zubin Potok.
Kurse vetëm gjatë ditës së sotme kanë ndodhur pesë sulme ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediale në veri të vendit, ku janë dëmtuar veturat e ekipeve të Dukagjinit dhe të Kallxo, është sulmuar një gazetar i Periskopit, më vonë ekipi i Gazetës Papirus, shkruan teve1.info, përcjell Fol Drejt.