Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se sot në Leposaviq disa gazetarë janë sulmuar me gjësende të forta, raporton Fol Drejt.
“Gazetarët e medieve të ndryshme janë sulmuar para pak çastesh nga protestuesit serbë në Komunën e Leposaviqit. Në një transmetim direkt të medieve, shihen disa gra duke tentuar t’i pengojnë gazetaret e RTV Dukagjinit, KOHËS dhe medieve të tjera të raportonin live nga kjo komunë.”, shkruan në njoftimin e AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se ka kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës, që t’iu sigurojë një perimetër të sigurt të raportimit kolegëve gazetarë.
“AGK-ja, ju bën thirrje të gjithë kolegëve që të respektojnë udhëzimet e dhëna nga zyrtarët e Policisë së Kosovës që janë prezent atje, dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit.”, thuhet në fund të komunikatës. /FolDrejt/