Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se tre persona të maskuar kanë penguar ekipin e gazetës Papirus për të xhiruar në Zveçan, raporton Fol Drejt.
“Redaksia e Gazeta Papirus, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, se tre persona të maskuar ia kanë rrëzuar kamerën ekipit të mediumit të tyre, përderisa ishin duke filmuar automjetet e KFORit.”, shkruan në komunikatën e AGK-së.
Në videon dërguar AGK-së, dëgjohet njëri prej personave të maskuar duke i thënë ekipit që mos të xhirojnë.
“Këto pamje janë tejet shqetësuese për AGK-në, andaj sërish ju bëjmë thirrje organeve të rendit, prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që t’i sigurojnë gazetarët që të raportojnë nga këto komuna pa u penguar. Njëherësh, ju kërkojmë të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në asnjë formë të mos rrezikojnë sigurinë e tyre fizike për hir të raportimit.”, thuhet tutje në reagim. /FolDrejt/