Pas restaurimit të stërzgjatur të Xhamisë së Çarshisë në Kryeqytet u hap edhe një debat mbi formën dhe mënyrën e restaurimit të Shadërvanit, i cili gjendet në anën e majtë të Xhamisë së Çarshisë.
Shkruan: Agron Islami
Fakti që, debutuesit nuk njohin historikun e Shadërvaneve të stilit osman, të ndërtuar në 3 kontinentet nga kishin sunduar, sikur na obligon që këtë debat ta zbresim në pikën “zero”, respektivisht të fillojmë nga pyetja çka quajmë Shadërvan?. Sigurisht që kjo pyetje nuk mund ti drejtohet profesionistëve (historianëve të artit osman e islam, apo historianëve të periudhës osmane), por kam bindjen se është shume e dobishme për studiues të fushave tjera, sikur vije fjala me arkeologët që merren me objekte e mbetura nën tokë.
Fjala shadërvan tek ne ka ardhur nga gjuha osmane, ndërsa rrënja e sajë është me gjenezë perse, “shadruban” dhe ka kuptimin e çadrës së madhe. Mirëpo në terminologjinë osmane ka një kuptim krejt tjetër, respektivisht me shprehjen Shadërvan, nënkuptohet “vendi i abdestit me çezme (çeshme) që burojnë nga pishina në mesë. Ndryshe, shadervanet e tilla quhen edhe abdesthane (shtëpi abdesi), sidomos kur ishin të mbuluara, siç është rasti me abdesthanen e xhamisë së Madhe në Prishtinë (për këtë definicion mund të konsultohet edhe Kamusi Turki, i bashkëatdhetarit tonë, Sami Bej Frashëri).
Shadërvanet ishin pjesë e pandashme e Xhamive dhe mesxhideve, sidomos Xhamitë e ndërtuara nga Sulltanët (siç është rasti edhe me Xhaminë e Çarshisë, e cila u ndërtua nga Sulltan Murati), karakterizoheshin me shadervane në formë fontanash të hapura ose të mbyllura që dalloheshin me dekoracione të veçanta. Kjo bëhej për tu dalluar nga shadërvanet e ngritur nga funksionar tjerë të rangut më të ulët se Sulltani.
Përveç abdesthanes, Shadërvanet ishin edhe vendpushim për kalimtarët e rastit të cilët përveç freskimit, gjatë ditëve të verës çlodheshin me zhurmat e ujit të këtyre shadërvaneve prej fontanash.
Pra Shadërvani është edhe avdes-hane edhe fontanë edhe vend pushim.