Agron Neza, qytetari shqiptaro-amerikan që përmendet në dosjen hetimore të ish-agjentit të FBI, Charles Mcgonigal, ka reaguar për akuzat në adresë të tij. Neza thotë se paratë për të cilat akuzohet se i ka dhënë Mcgonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Edi Rama.
Neza thotë se paratë janë dhënë për çështje personale dhe nuk lidhen me asnjë biznes apo afera. Ai i cilëson akuzat e ish-kryeministrit Berisha se paratë ishin për lobim të qeverisë kundër tij, si shpifje.
Nder të tjera në reagimin e tij në Euronews Albania, Agron Neza shkruan:
Po sqaroj si Sali Berishën që për interesat e tij politike dhe personale është gati të shpifë mbi gjithçka dhe të shkoj edhe më tej shpifjes nëse mundet, ai ka rekorde të errëta në lëmin e shpifjes.
Po ashtu, po sqaroj dhe gazetarët, opinionistët, analistët dhe shqiptaret tanë të dashur kudo që janë dhe ky do të jetë reagimi im i fundit se;
Me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama jam prezantuar diku në vjeshtën e vitit 2017 nëpërmjet mikut tim Charles Mcgonigal, ish-drejtor i Zyrës së Kundërspiunazhit të FBI-së për Nju Yorkun, në ndërtesën e Zyrës së kryeministrit, takim që zgjati ndoshta më pak se dy minuta.
Pas këtij takimi jam takuar dhe disa herë të tjera dhe në këto takime ka pasur edhe njerëz të tjerë. Nuk mund të them që kryeministri i Shqipërisë është miku im, e as unë miku i tij përveçse një i njohur. Asnjëherë me KM Rama nuk kam biseduar çështje biznesi dhe as parash, e gjithashtu mund të them të njëjtën gjë dhe për stafin e tij me të cilët mund të njihem, siç njoh dhe kam miq dhe të PD, PR, PSD, PL e të tjera parti në Shqipëri.
Për sa i përket problemit që Sali Ram Berisha po flet, duke shpifur se paratë që i kam dhënë mikut tim Charles McGonigal janë para të kryeministrit Edi Rama apo njerëzve të tij, kjo kategorisht nuk është e vërtetë.
Jam i bindur që kryeministri Rama, çështjen e dhënies së parave e ka mësuar nga shtypi në të njëjtën kohë që e ka mësuar dhe Sali Berisha dhe çdokush tjetër. Këtu përfundon çështja në lidhje me paratë që unë i kam dhënë Charles McGonigal, raporton TiranaNews, transmeton Fol Drejt.