Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar ka thënë se janë duke pranuar telefonata dhe e-maila të shumtë nga qytetarët të cilët po pyesin rreth paqartësive lidhur me masat e shumta të marra dje nga Qeveria në detyrë për parandalimin e COVID-19.
Ahmeti ka thënë se janë duke provuar të japin sqarime për shqetësimet e qytetarëve, derisa pranon se edhe vetë si kryetar i Komunës nuk i ka të qarta të gjitha masat e marra nga ekzekutivi.
“Prej momentit kur kemi publikuar numrin dhe emailin, telefoni nuk është ndalur ndërsa kanë ardh qindra emaila. Kjo nënkupton që ka shumë paqartësi dhe qytetarët kanë brenga dhe kanë nevojë të flasin me institucione.
Edhe pse edhe ne si Komunë nuk i kemi të qarta krejt detajet e vendimeve që po vijnë, megjithatë do të jemi bashkë me juve”, ka thënë Ahmeti.
Megjithatë kreu i Komunës së Prishtinës thotë se do të provojnë të japin sqarime rreth pyetjeve të qytetarëve.
“Menjëherë kërkuam ndihmën e zyrtarëve, vullnetarëve, dhe së shpejti do të shtohen edhe numrat e telefonit edhe email adresat dhe do të jemi 24 orë të gatshëm.
Mos harroni, pyetje, kërkesa, administrative, sociale, ekonomike, të gjitha do të mundohemi ti sqarojmë”, ka shkruar Ahmeti.
Ndryshe sot të gjithë krerët e komunave të Kosovës kanë reaguar përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, duke thënë se Qeveria nuk i ka konsultuar fare për masat e reja të marra.
Një gjë të tillë e kishte pranuar edhe vetë kreu i Prishtinës, i cili derisa po jepte një intervistë në RTV Dukagjini, pranoi se nuk kishte ide rreth orarit të lëvizjes përmes numrave të parafundit të letërnjoftimit.